FAMILJARËT NATËN E KALUAN PARA SPITALIT, SHKUPJANËT JU OFRUAN “KONAK” HALLEXHINJËVE

0

Familjarët e të lënduarve e kanë kaluar natën e mbrëmshme nën ethe për fatin e të afërmve të tyre.

Ata edhe sot po qëndrojnë në korridoret e spitaleve ku janë transferuar të lënduarit nga aksidenti i mbrëmshëm me autobusin që u rrokullis.

Për t’ua lehtësuar dhimbjen dhe pritjen disa qytetarë po ju ofrojnë ndihmë. Një nga to është edhe Xheneta Bilalli, dhe ajo pa hezitim i ofrohet familjarëve të traumatizuar për t’ua ofruar ndihmën e saj.

“Të gjithë njerëzit që kanë nevojë, që nuk kanë vendqëndrim, dyert e mia janë të hapura. Mund të më kontaktoni edhe nëpërmjet televizionit dhe nëpër rrjetet e mia sociale”, tha Xhenete Bilalli – qytetare.

Xheneten e ka prekur ky rast ngaqë edhe ajo si shumë të rinj të Gostivarit dhe qyteteve tjera, udhëton nga Shkupi në Gostivar.

“Kjo është një tragjedi dhe unë nuk mundem ende të qetësohem. Edhe unë vetë udhëtoj tërë kohën me autobus nga Shkupi për në Gostivar”, u shpreh Xhenete Bilalli – qytetare.

Xheneta Bilalli është vetëm një nga qindra persona që ka shpërndarë në rrjetet sociale hashtagun #ijasmozham, apo edhe unë mundem.

Kjo formë e solidaritetit, nisi të shpërndahet mbrëmë në rrjetet sociale, si një formë bashkëndjenjeje të qytetarëve të Shkupit, për t’i ofruar sado pak ngrohtësi familjarëve që po presin lajme për më të dashurit e tyre të lënduar në aksidentin tragjik, që u mori jetën 14 udhëtarëve dhe lëndoj 39 të tjerë.

Përgatiti: Almedina Ismajli