“EUROINTEGRIMET KALOJNË PËRMES OHRIT”, 17 VJET NGA MO, ENDE PA ZGJIDHJE PËR FAMILJET E DËSHMORËVE

0

Rruga për anëtarësim në NATO dhe BE kalon nëpër Ohër. Kështu tha Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në prag të përvjetorit të marrëveshjes së Ohrit. Ai nuk deshi të flas për atë se a është zbatuar marrëveshja në tërësi, pasi siç tha kjo do t’i merrte shumë kohë. Ai tha se vet angazhimi i NATO-s për Maqedoninë nënkupton instalim të paqes dhe stabilitet në vend.

“Vetë marrëveshja e Ohrit është si rezultat i përpjekjeve, por edhe njëherit i vendosjes së standardeve që na ofrojnë me Evropën. Është edhe si rezultat i vet angazhimit të NATO-s që në këtë vend të instalohet paqe, stabilitet dhe moton që ka zgjedh zëvendëskryeministri për eurointegrime mu këtij momenti edhe i përshtatet”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

 17 vjet pas marrëveshjes e cila i dha fund konfliktit në Maqedoni, lideri i BDI-së thotë se ende bëhen përpjekje për të siguruar mjete financiare për familjet e dëshmorëve të konfliktit.

 “Me marrëveshjen e nënshkruar në mes të forcës më të madhe politike ushtarake NATO-së dhe UÇK-së parashihet risocializimi  i ushtarëve të UÇK-së edhe statusi i tyre  financiar. Në këtë situatë jemi përpjekur me një situatë me forcat tjera politike jo shqiptare, që një zgjidhje të bëhet e pranueshme për familjet që kanë pësuar, që ka të rënë, që ka invalid, të kemi një zgjidhje dhe një trajtim dhe kujdes nga shteti. Është duke e bërë hap pas hapi ky trajtim”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Në akademinë përkujtimore kushtuar njërit prej nënshkrusve të MO, Imer Imerii, Ahmeti foli edhe për referendumin për të cilin nuk deshi të paragjykoj se si do të përfundon. Megjithatë tha se pjesa dërmuese e qytetarëve tani më janë në pritje të integrimit të vendit të tyre në NATO dhe BE dhe se sipas tij të gjitha këto përparësi do t’i arrijmë  nëse me sukses do ta mbyllim  kapitullin e fundit drejtë integrimit në NATO dhe BE.

Përgatiti: Zimer Jashari