“E majta”: Përmbaruesit mbledhin haraç, qytetarët paguajnë shumëfishin e borxhit

0

Që nga hyrja në fuqi e ligjit të përmbaruesve, borxhet nuk do të vjetrohen, por do të paguhen shumëfish, me gjithë kamatat. Përfaqësuesit e partisë në formim “E majta”, kërkojnë që urgjentisht të ndërpritet ligji i përmbaruesve dhe të rikthehen kompetencat ekzekutuese tek organet gjyqësore.

Njëri nga të prekurit me këtë rast është edhe Andon Andonovski, i cili i mllefosur shprehet kundër ligjit për shumëfishimin e borxhit përmes kamatave. “Unë kisha një rast kur një borxh prej 180 denarëve, për 17 vite me gjithë kamatat ishte bërë 26.000 denarë. Me disa intervenime arrita t’a ulë atë në 6.000 denarë dhe t’a paguaj”, thotë ky qytetar.

Ana Gligorova nga “E majta” thotë se nga hulumtimet e bëra nga kjo lëvizje janë të bllokuara mbi 100.000 mijë llogari bankare të personave fizikë, nga 100 përmbarues që operojnë në nivel të vendit. “Një person që ka pensionin prej 9.000 denarëve është i detyruar të ndaj 1/3 e saj çdo muaj për të paguar borxhin virtual. Ky është një borxh që para shumë viteve, qytetarët nuk kanë pasur mundësi të paguajnë dhe tani borxhi iu është shumëfishuar”, thotë Gligorova.

Para Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë ishte edhe Marian Ristevski. Drejtor i Konfederates së Organizatave Sindikale të Maqedonisë thekson se është krijuar një zinxhir në mes bankave, gjykatave dhe përmbaruesve, të cilët i keqpërdorin kursimet e qytetarëve. “Kjo është vjedhje e popullit, për ne është një sistem keqbërës. Ky keqpërdorim i qeverisë, gjykatave e përmbaruesve, kanë angazhuar së fundmi edhe avokatët e noterët, duhet patjetër të ndërpritet. Këtë haraç nuk e kanë bërë as armiqtë më të mëdhenj të Maqedonisë”, tha Ristevski nga KOSM.

Nga “E majta” bëjnë thirrje tek qytetarët t’u bashkohen në këtë iniciativë.

Sot zyret e Odës së Përmbaruesve të R.M. ishin mbyllur. Ata nuk iu përgjigjën as thirrjeve telefonike të TV21 për të komentuar lidhur me këtë çështje.

Përgatiti: Adnan Qaili

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here