DYSHIME EDHE PËR PUNËSIMET E SPITALIT TË TETOVËS, FILIPÇE HEDH TOPIN TEK DREJTORI, AI NUK PËRGJIGJET

0

Ditëve të fundit pati disa reagime në lidhje me punësimet në Spitalin e Tetovës.  Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj hedh dyshime se nuk janë respektuar kriteret e punësimit dhe se në punë janë pranuar njerëz partiak dhe familjar.

“Këtu flasim për diskriminim të pastër profesional. D.m.th. kemi selektim negativ në llogari të kandidatëve më të mirë, dhe në bazë të ndryshme pranohen kandidat që nuk kanë profil adekuat profesional. Këtu është problemi. Flasim për mjekë që duhet të kujdesen për shëndetin e njerëzve në të ardhmen, ndërsa pranojmë kolegë të cilët ndoshta nuk janë diskutabil por cilësia e tyre në mënyrë evidente është më e ulur se disa të tjerë që janë më mirë të ranguar”, tha Nenad Llazarov – Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj.

Ky Asociacion kërkon ndryshim të menjëhershëm të ligjit për mbrojtje shëndetësore, me të cilin drejtorët e institucioneve përkatëse mund të punësojnë familjarë dhe persona nga e njëjta parti.

Por, Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe tha se për rastin konkret nuk dëshiron të flet sepse ende nuk ka të dhëna të sakta dhe se nesër do të takohet me të dy palët që ta zgjidh këtë çështje. Sipas Filipçes, punësimi është e drejtë ekskluzive e drejtorit të çdo institucioni.

“Sipas Ligjit kjo është e drejtë ekskluzive e drejtorëve të çdo institucioni. Por ne kemi bërë ndryshim tashmë në Ligjin për mbrojtje shëndetësore, ku kemi futur 6 muaj punë praktike të detyrueshme, në nivel primar dhe në nivel të shërbimit urgjent mjekësor, për të gjithë mjekët e rinj, të licencuar. Megjithatë dëshirojmë që të avancojmë këtë model dhe të bëhet model në të cilin, tani së shpejti do të sigurojmë mjete shtesë që të gjithë mjekët e rinj që kanë mbaruar shkollimin, që janë rreth 300 mjekë nga të tre fakultetet mjekësore, të fitojnë ofertë për vend pune”, u shpreh Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

TV21 kërkoi përgjigje edhe nga drejtori i Spitalit të Tetovës, në lidhje me këto akuza.

Drejtori, Florim Besimi tha se do të paraqitet kur të lirohet, por deri para edicionit të lajmeve një gjë e tillë nuk ndodhi. Nga Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj thonë se deri tani nuk kanë pranuar thirje ose ftesë nga Ministria e Shëndetësisë për tu takuar nesër dhe për të gjetur një zjidhje të përbashkët.

 Përgatiti: Almedina Ismajli