Dyfishohet numri i pacientëve me fraktura, nuk ka shtrat të lirë në ortopedinë e Manastirit

0


Temperaturat e ulëta të cilat arritën deri në minus 20 gradë, në Manastir shkaktuan ngrirje të rrugëve. Kjo është arsyeja kryesore për rritjen e numrit të qytetarëve që kanë marrë fraktura e që janë paraqitur në Spitalin Klinik.

Reparti i Ortopedisë tashmë është stërmbushur. Kapacitetet e Repartit për mjekësi fizikale janë të hapura dhe pacientët dërgohet atje. Jemi në lëvizje të vazhdueshme, si në ortopedi, ashtu edhe në rentgen. Rastet e frakturave janë rritur për 50% tha Suzana Koneska , zëdhënëse e spitalit klinik në Manastir.

Njëra prej tyre është 76-vjeçarja Dragica Shopova nga Manastiri. Ajo ka marrë frakturë serioze në pjesën e kofshës, pasi është rrëzuar në oborr.

-U rrëshqita dhe u rrëzova në shkallët e oborrit. Mendova se nuk është asgjë serioze, por tani më duhet kohë për t’u shëruar, THA Dragica Shopova, Manastir.

Në Ortopedinë e Manastirit, kryesisht janë paraqitur personat e moshuar.

-Acari është tejet i rrezikshëm, sidomos për ne, personat në moshë të shtyrë. Deri më tani rashë disa herë, por për fat të keq pa pasoja, tha një banor i Manastirit.
Temperaturat e ulëta që e kapluan Manastirin e rritën edhe konsumimin e ujit. Uji shpenzohet si në ditët më të ngrohta në verë. Për të mos ngrirë, manastirasit i lënë çezmat dhe ujin të rrjedhë.
-Është rritur për 20% në krahasim me 520 litrat që është standardi. Tani është rritur në 650 litra në sekondë. Apelojmë që t’i mbyllin çezmat që të mos ketë konsumim më të madh të ujit. Për prishje të ujëmatësve kemi rreth 30 paraqitje, të cilat i kemi servisuar me kohë. U bëjmë thirrje qytetarëve, shkaku i temperaturave të ulëta t’i mbulojnë dhe t’i mbrojnë ujëmatësit, tha Goran Kozarov, drejtor i NP ‘’ Ujësjellsi’’ Manastir.
Vala e dëborës që e përfshiu Manastirin, solli reshje bore në lartësi prej 40cm. Nga Ndërmarrjet Publike, bëjnë me dije se janë pastruar 70% e rrugëve kryesore dhe dytësore në qytet. Sot, me ndihmë të mekanizimit të TEC Manasirit, u pastrua edhe rruga drejt fshatit malor, Drevenik.

PËRGATITI: JOVICA PAUNOSKI
PAMJET: TV21
MONTAZHI: TV21