Dy muaj nga arratisja e Gruevskit, MBP dhe Prokuroria ende heshtin

0

Jo MPB-ja, por Prokuroria duhet të tregojë se ku dhe si ka ikur Nikolla Gruevski nga Maqedonia dhe nëse dikush i ka ndihmuar gjatë arratisjes. Kështu thotë Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski i cili gjithashtu thotë se prokuroria duhet t’i tregojë informacionet në publik.

“Pres që pas sigurimit  të të gjitha informacioneve, do ta njoftojnë opinionin publik. MPB-ja vepron sipas urdhrave për sigurimin e informacioneve. Pra, ka shumë informacione dhe analiza, megjithatë atë punë ia lë Prokurorisë, që ta bëjë analizën dhe t’i tregojë informacionet në publik”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

G – Prokurori Publik tashmë ka thënë se Gruevski nuk ka kaluar përmes ndonjë vendkalimi kufitar legal. A keni informacione të këtilla?

Spasovski – Prokuroria le t’i tregojë të gjitha detajet.

G – A do të thotë kjo se ju i keni të gjitha informacionet?

Spasovski – Kjo do të thotë se unë pres që Prokuroria t’i bëjë analizat dhe ta informojë opinionin publik.

Por, prokurori shtetëror Lubomir Jovevski, në intervistën e dhënë për AIM (MIA), deklaroi se kanë kërkuar prova dhe ndihmë ndërkombëtare juridike nga organet kompetente të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Malit të Zi. I kemi incizimet e kamerave në rrugët, rampat për pagesë, vendkalimet kufitare dhe rreth shtëpisë së ish- kryeministrit. Jovevski në këtë intervistë tha se Gruevski nga Maqedonia në Shqipëri ka hyrë përmes vendkalimit kufitar jo legal.

“Prokuroria nuk vërteton nëse ka lëshime nga disa institucione, por nëse ka veprime penale nga disa persona që e kanë mundësuar arratisjen. Institucionet kompetente, në suaza të organizimit të tyre të brendshme, duhet të vërtetojnë a ka ndonjë përgjegjësi në veprimin dhe kompetencave të tyre”, tha prokurori publik në intervistën për MIA Lubomir Jovevski.

Gruevski nga Maqedonia është arratisur më 11 nëntor vitit të kaluar. Tani për tani nuk dihet se kush i ka ndihmuar që të ikë nga shteti. Përmes Shqipërisë, Malit ët Zi dhe Serbisë, ish-kryeministri shkoi në Hungari ku mori azil politik. Nga autoritetet e Hungarisë, ende nuk ka përgjigje në lidhje me kërkesën për ekstradim. Gruevski është dënuar me burg prej 2 vjetëve për rastin Tanku, ndërsa për rastet e tjera do të gjykohet në mungesë. Gjykata Penale sot njoftoi se është aprovuar aktakuza edhe për rastin Talir, që ka të bëjë me furnizimet jo ligjore të VMRO-DPMNE-së. Mes të akuzuarve është edhe Nikolla Gruevski.

Përgatiti: Tv21