DERKOVSKI NUK PËRJASHTON PRESIONET POLITIKE, THOTË SE NUMRI I VOTUESVE NË LISTËN ZGJEDHORE ËSHTË REAL

0

Edhe formati më i ri i KSHZ-së u formua nga anëtarë të partive politike. Ky format do të duhet që të organizojë Referendumin që do të mbahet më 30 shtator. Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski për REL thotë se  ndonëse të gjithë anëtarët vijnë nga partitë politike ata do të funksionojnë në mënyrë profesionale. Derkovski nuk i përjashton mundësitë për presione politike, por thotë se të gjithë anëtarët kanë përvojën e duhur për t’i tejkaluar ato.

“Presionet janë gjithnjë të mundshme, por të gjithë ne këtu jemi me mjaft përvojë për t’i tejkaluar këto veprime, kështu që mendoj se kjo përbërje e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve do të tregojë dhe dëshmojë se në Maqedoni mundet të funksionohet edhe ndryshe. Nëse ne të gjithë e kuptojmë detyrën që na është dhënë, do t’i kapërcejmë të gjitha këto presione”, tha Oliver Derkovski, Kryetar i KSHZ-së.

Ndonëse në Maqedoni nuk është bërë regjistrimi i popullsisë që nga viti 2002, e nga ana tjetër Lista zgjedhore ka mbetur e pa pastruar, duke mbetur me persona vdekur dhe me persona me identitet të vjedhur, megjithatë Derkovski thotë se numri i personave në Listën zgjedhore është real.

“Po, unë disa herë në disa raste them se numri i votuesve është real dhe se konfuzioni i tërë në vitet e fundit është bërë ndoshta për disa arsye tjera politike. Megjithatë, detyra e jonë është që KSHZ-ja të mos ndërhyjë në politikë, sepse kjo punë e udhëheqjes së Listës zgjedhore është një operacion statistikor. Përfshihen Enti i Statistikor dhe Ministria e Punëve të Brendshme, kështu që nga regjistrat e tyre, praktikisht është hartuar përbërja e Listës së Votuesve”.

Çdo qytetarë i cili ka mbushur 18 vjet dhe ka Letërnjoftim të vlefshëm, ose dokumente udhëtimi të Republikës së Maqedonisë ka të drejtë të jetë në Listën zgjedhore. Referendumi, sipas ligjit, llogaritet i suksesshëm nëse arrihet cenzusi, gjegjësisht nëse në votim dalin 50%, plus një votues dhe më shumë se gjysma e tyre votojnë pozitivisht.

Përgatiti: Artan Nuhiu