DEBATI PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE, AKADEMIKËT: MARRËVESHJA E PRESPËS TË JETË KATEGORI KUSHTETUESE

0

Diskutimi i tretë publik për draft-amendamentet për ndryshimet kushtetuese, u mbajt me karrige të zbrazura.

Akademikët në këtë debat, kërkuan që Marrëveshja e Prespës, të jetë kategori kushtetuese dhe të jetë amendament më vete.

“Unë e kam skicuar amendamentin dhe propozoj që në amendamentin 37 të thuhet: Marrëveshja ashtu siç është formuluar, me të gjitha elementet e saja, të jetë pjesë përbërëse e rendit kushtetues të RM-së”, tha Svetomir Shkariq, Akademik.

Akademiku Vllado Kambovski, tha se Marrëveshja e Prespës, nuk ka hyrë në fuqi për shkak se kryetari i shtetit nuk dëshiron ta nënshkruaj. Ai propozoi që në ligjin kushtetues të vendoset caktim i veçantë se kjo marrëveshje hyn në fuqi me nënshkrimin e kryetarit të kuvendit. Kryetari i ASHAM-it Taki Fiti, tha se Marrëveshja forcon identitetin dhe zgjidh problemin e historisë.

“Ne kemi thënë se pa marrë parasysh këtë, çështjet e identitetit konsiderojmë se janë zgjidhur në mënyrë të mirë. Gjithashtu konsiderojmë se përfitimet ekonomike janë të mëdha. Në këtë mënyrë krijohen kushte për ta përshpejtuar rritjen ekonomike dhe për t’u përfshirë në proceset euro-integruese”, tha Taki Fiti, Kryetar i ASHM-it.

Zv kryeministri Osmani, tha se vendi nuk ka alternativë tjetër dhe se duhet ta kapim rrugën për në NATO dhe BE.

“Maqedonia është si një biçikletë e cila nëse nuk lëviz rrëzohet, tani varet në cilën anë, në të djathtën apo në të majtën. Megjithatë Maqedonia ka nevojë për  lëvizje të përhershme, ndërsa këtë lëvizje e mundëson BE përmes procesit të bisedimeve, që nuk është vetëm një rrugë për të arritur deri tek një qëllim i caktuar, por është vetë qëllimi kryesor”, u shpreh Bujar Osmani, Zv/Kryeministër.

Ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov, siguron se ndryshimet kushtetuese do të sjellin mirërqenie për gjeneratat e ardhshme.

“Ju siguroj se në këtë proces hymë duke menduar për përgjegjësinë për gjeneratën e ardhshme, duke shikuar se derisa ne po presim, vendet e tjera shkojnë përpara, anëtarësohen, proceset bëhen më të vështira dhe më komplekse”, tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Debati i ardhshëm do të mbahet në Shtip dhe Tetovë, më pas Qeveria duhet të dorëzojë raportin përfundimtar në Kuvend dhe më pas kreu i Kuvendit, duhet të caktojë seancë plenare në një afat prej 30 ditësh ku është e nevojshme shumicë prej 2/3 e votave për miratimin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese.

Përgatiti: Zimer Jashari