BALLKANI ME INSTITUT TË PËRBASHKËT, KURIMI I KANCERIT ME MËNYRË TË RE

0

https://youtu.be/K7xHyD3n7-k

Brenda disa vitesh Ballkani do të bëhet me institut rajonal ku kanceri do të trajtohet në një mënyrë të re. Jo përmes elektroneve dhe rrezatimit, por përmes terapisë me protone, të njohura ndryshe edhe si “hardrons”. Fizikani Herving Shoper, iniciator i këtij projekti, tha se kjo do të bëhet me minimumin e shkencëtarëve që ka rajoni. Pos kësaj, projekti do të ndihmojë edhe gjeneratat e reja të shkencëtarëve, shtoi ai.

“Kjo është një teknologji e re që kërkon ende shumë hulumtime dhe jo vetëm kërkime individuale, andaj një prej gjërave të para që duhet të bëjmë është krijimi i një rrjeti të onkologjistëve sepse ata në mënyrë individuale nuk mund të vendosin se cili pacient çfarë trajtimi do të marrë”, tha Herving Shoper, fizikant.

Një projekt i këtillë është realizuar edhe në Lindjen e Mesme. Sipas profesorit Shoper qëllimi i institutit nuk është vetëm shkencor por edhe politik. Kjo sepse afron politikanët në kauza të përbashkëta. Për këtë sot në Shkup përfaqësues të disa shteteve Evropës Juglindore. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, tha se në diskutim e sipër janë idetë për jetësimin e këtij projekti.

“Do të jetë në përfitim të të gjitha vendeve të rajonit për shkak së bëhet fjalë për një projekt dhe institut rajonal. Prandaj edhe sot në vazhdën e këtij takimi do të shpalosim idetë dhe propozimet për aktivitetet e mëpastajshme të cilat janë në drejtim të jetësimit të këtij instituti”, tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

I pyetur nëse qendra e Institut do të jetë në Maqedoni, Ademi u shpreh se ky fakt ka pak rëndësi sepse ku do që të jetë qendra, të gjitha shtetet pjesëmarrëse do ta kenë vendin e tyre në administrimin e këtij instituti. Ministrja për Shkencë e Malit të Zi, Sanja Damjanoviq, tha se projekte të këtilla parandalojnë ikjen e shkencëtareve.

“Ky projekt, kjo nismë, infrastrukturë e bazuar në teknologjinë me bashkëkohore do të bëjë që jo vetëm t’i mbajmë njerëzit më të mirë në rajon por edhe t’i kthejmë ata që tashmë e kanë lëshuar vendin”, tha Sanja Damjanovic, Ministre e Shkencës e Malit të Zi.

Projekti ka shumë shanse që të mbështetet financiarisht nga Komisioni Evropian, tha profesori Herving Shoper. Arritja e këtij qëllimi mund të zgjasë deri në 6 vjet. Ende nuk dihet përfundimisht se cilat shtete do të kyçen por ai beson se shtetet e Evropës Juglindore janë të gatshme të bashkëpunojnë. Projekti përveç trajtimit të kancerit, do të shërbejë edhe për kërkime shkencore. Në botë ekzistojnë 12 projekte të këtilla. 4 prej tyre janë në Evropë, ndërsa i pesti do të jetë në Ballkan.

Përgatiti: Besir Arifi