Autostrada Shkup-Bllacë, 17 vite në letër, duhet pritur edhe disa vite për ndërtim

0

Më në fund duket dritë në fund të tunelit për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Projekti i parë për ndërtimin e saj është shpallur që nga viti 2002, aq sa ky projekt i para 17 vitesh është vjetruar dhe tani planifikohet të bëhet riprojektim për një pjesë të autorrugës.

“Nevojitet të bëhet riprojektim sepse duhet të ndryshohet një pjesë e trasesë nga plani themelor, dhe kjo duhet bërë sepse në trasetë e parashikuara në projektin e vjetër janë shfaqur kapacitetet industriale dhe varrezat e reja. Projekti për tunelet nuk i përmbush standardet ndërkombëtare për ajrosje, shpëtim nga zjarri dhe evakuim andaj duhet ri projektim. Me projektin aktual nuk janë kryer kërkime të detajuara gjeoteknike. Duke pasur parasysh topografinë dhe numrin e tuneleve dhe objekteve në autostradë, konsulentët kanë sugjeruara të bëhen kërkime të detajuara për to në projektin e ri”, tha Goran Sugarevski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Realizimi i ndërtimit pritet të bëhet në dy faza. E para nga pikëkalimi kufitar “Bllacë” deri në udhëkryqin Bllacë, në gjatësi rreth 2 km. Për këtë pjesë të autostradës tenderi pritet të shpallet në shkurt, e nëse nuk paraqiten komplikime, punimet mund të nisin në pranverë, e që pritet të zgjasin rreth 18 muaj.

Pjesa e dytë, me gjatësi rreth 10,5 km është ajo që do më shumë kohë. Riprojektimi për të duhet të mbarojë deri në fund të këtij viti, ndërsa sipas parashikimeve tenderi duhet të shpallet në fillim të 2020-tës. Kohëzgjatja e ndërtimit të kësaj pjese parashikohet të jetë rreth 36 muaj. Pra në total, do të duhet të pritet edhe rreth 4 vite që autostrada të lëshohet në përdorim, e më pas kur do të kaloni në të, do të duhet të paguani edhe për pagesën rrugore.

“Po do të ketë, normale si gjithkund në botë sepse këto rrugë duhet të mirëmbahen. Disa herë kam thënë se kur të mbarojë e gjithë kjo ofensivë ndërtuese pas 4-5 vitesh, vetëm mirëmbajta e rrugëve në Maqedoni do të kushtojë rreth 100 milion euro”, u shpreh Zoran Kitanov, Drejtor i NP për rrugë Shtetërore.

Kjo autorrugë me 4 tunele dhe 8 ura, që kap vlerën prej rreth 110 milion eurove, ka rëndësi strategjike për Maqedoninë. Përveç se i afron njerëzit, rrugën Shkup-Prishtinë e shkurton në 45 minuta, e sipas zëvendëskryeministrit Bujar Omani, gjithashtu do përforcohet bashkëpunimin ekonomik Maqedoni-Kosovë.

“Jo vetëm për ndërlidhjen rajonale dhe politike. Kosova është tregu më i përshtatshëm ekonomik për Maqedoninë duke e pasur parasysh se këmbimi tregtar vjetor është rreth gjysmë miliard euro dhe kjo është për shkak afërsisë dhe mundësisë që e ofron Kosova si treg”, tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër.

Se si do të pagëzohet autostrada Osmani tha se në Qeveri ende nuk është diskutuar, megjithatë tregoi se në bisedë joformale me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, ka kuptuar se ai parapëlqen  që autostrada të mbajë emrin “Arbër Xhaferi” njëjtë siç është në Kosovë, megjithatë emri përfundimtar do të dilet pasi të jenë marrë vesh në Qeveri. 

Përgatiti: Besir Arifi