Asnjë shenjë kompromisi rreth rihapjes së qeverisë amerikane

0

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një takim me udhëheqësit demokratë, por negociatat u ndërprenë në ditën e 19 të mbylljes së qeverisë amerikane.

Presidenti republikan mbylli bisedimet pasi Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer u mbërthyer nga refuzimi i tyre për të financuar murin në kufirin me Meksikën.

Trump tha në fjalimin e tij në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, se u takon demokratëve “të kalojnë ligjin për buxhetin dhe të rihapin qeverinë”. Ai tha se çështja mund të zgjidhet në një takim të shpejtë dhe se ka ftuar për bisedime të mërkurën udhëheqësit e Kongresit.

Në përgjigjen e tyre ndaj fjalimit të presidentit Trump, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, vunë theksin tek numri i ligjeve mbi shpenzimet që ligjvënësit tashmë i kanë miratuar, që do të mundësonin rihapjen e qeverisë dhe do të siguronin fondet për sigurinë kufitare.

Ata thanë se mbyllja e qeverisë po vazhdon vetëm për shkak se presidenti Trump po refuzon të heqë dorë nga kërkesa prej 5.7 miliardë dollarësh për një mur në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, që sipas tyre do të jetë i shtrenjtë dhe i pafrytshëm.

Presidenti tha në fjalimin e tij se mosngritja e murit po rrezikon amerikanët që të jenë viktima të dhunës në duart e atyre që po hyjnë në vend në rrugë të paligjshme dhe i rrezikon ata duke lejuar hyrjen e sasive të mëdha të narkotikëve të paligjshëm.

“Përgjatë viteve, mijëra amerikanë janë vrarë brutalisht nga ata që kanë hyrë në rrugë të paligjshme në vend dhe mijëra jetë të tjera do të humben nëse nuk veprojmë drejt tani”, tha presidenti Trump. “Kjo është krizë humanitare, krizë e zemrës dhe shpirtit”.

Ai tha se qindra të tjerë kanë humbur jetën çdo vit nga narkotikët, posaçërisht heroinës, pjesa më e madhe e së cilës, tha ai, po hyn në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet kufirit jugperëndimor.

Presidenti Trump akuzoi demokratët se nuk po e kuptojnë atë që ai e quan “krizë” në kufi dhe po refuzojnë të mbështesin fondet për sigurinë kufitare dhe murin.

Ai tha se propozimi i administratës së tij gjithashtu përfshin përmirësime të teknologjisë për të zbuluar drogat dhe armët, para për të punësuar më shumë agjentë kufitar dhe për të rritur numrin e shtretërve në dispozicion për të strehuar ata që kapen duke u përpjekur të kalojnë kufirin.

Demokratët kryesisht janë dakord me këto lloje masash dhe në projektligjin e tyre kanë mbështetur shpenzimin e 1.3 miliardë dollarëve për pajisjet e skanimit dhe shtimin e personelit kufitar. Pelosi i cilësoi të martën këto propozime si “zgjidhje të zgjuara dhe të efektshme të sigurisë kufitare”.

Por ajo tha se është “thjesht e gabuar” për presidentin Trump që ta mbyllë qeverinë për shkak të mosmarrëveshjeve për financimin e murit.

“E vërteta është se gratë dhe fëmijët në kufi nuk janë kërcënim për sigurinë, ata janë sfidë humanitare – një sfidë që vetëm sa është thelluar nga politikat e egra dhe të pafrytshme të presidentit Trump”, tha Pelosi. “Dhe e vërteta është se presidenti Trump duhet t’i jap fund mbajtjes peng të qytetarëve amerikanë, t’i jap fund krijimit të krizave dhe duhet të rihapë qeverinë”.

Derisa bllokada vazhdon, rreth 800 mijë punonjës federal janë dërguar në shtëpi ose punojnë pa pagesë.