ARRIJNË TABELAT E REJA, NË GREQI ME PASAPORTË, APO ME DOKUMENT SHTESË?

0

Tabelat në të cilat është shkruar emri i ri – Republika e Maqedonisë së Veriut, arritën në vendkalimet kufitare. Janë vendosur në Drejtorinë Doganore dhe presin që nota verbale të arrijë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare.

“Në vendkalimin kufitar “Mexhitli” tek Manastiri, edhe pse tabela me emrin e ri ka arritur, megjithatë ende nuk vendoset, sepse pritet të arrijë nota verbale në Maqedoni, kurse më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe në fund të vendoset tabela me emrin e ri”, tha Jovica Paunoski, Gazetar i Tv21.

Pas arritjes së notës verbale nga Greqia dhe publikimit në Gazetën Zyrtare, së pari do të zëvendësohen tabelat e vendkalimeve kufitare, e më pas edhe ato të institucioneve shtetërore. Marrëveshja mes dy vendeve parasheh edhe hapje të pikave të reja kufitare.

“Palët do të angazhohen që t’i përmirësojnë dhe t’i modernizojnë vendkalimeve ekzistuese kufitare, ashtu siç e kërkon Protokolli për Trafik, dhe gjithashtu do të ndërtojnë vendkalime të reja kufitare, me qëllim nxitjes së shkëmbimit turistik dhe tregtar mes tyre”, Marrëveshja e Prespës, Neni 16, Paragrafi 6.

Njëra nga pikat e reja kufitare të duhet hapur është vendkalimi Markova Noga tek Prespa, i cili është i mbyllur tashmë gjysmë shekull. Sivjet po intensifikohen punimet ndërtimore për rikonstruimin e kufirit, kurse nga ana greke ka përfunduar edhe ndërtimi i rrugës magjistrale.

Me Marrëveshjen e Prespës, dy vendet fqinje e zgjidhën kontestin tredekadësh. Greqia do të përdorë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Por, tani parashtrohet pyetja – nëse gjatë hyrjes në Greqi, qytetarëve të Maqedonisë, përveç pasaportës do t’u nevojitet edhe dokumenti shtesë, të cilin e japin doganorët grekë?

Tani për tani, përgjigje për këtë çështje s’ka. Nga Ministria e Punëve të Jashtme, për TV21 thonë se për këtë nuk është biseduar gjatë lidhjes së Marrëveshjes së Prespës.

Përgatiti: Jovica Paunoski