Armando Sadiku rikthehet në Zvicër

0

Armando Sadiku kthehet te Lugano në Superligën e Zvicrës, ekip ku luajti për herë të fundit në elitën e futbollit helvet para se të niste aventurën te Legia e Varshavës në Poloni e më pas te Levante në Spanjë.

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ka kaluar me sukses testet fizike këtë të hënë në praninë e mjekëve të klubit të tij, Levantes, duke u transferohet në formë huazimi tek ekipi zviceran deri në fund të sezonit, me të drejtën e blerjes së kartonit.

Presidenti i Luganos, Enzo Renzetti, u shpreh i lumtur për këtë marrëveshje, duke qenë i bindur se pavarësisht se vjen nga një dëmtim i rëndë, Sadiku mbetet më i fortë se të gjithë sulmuesit që ka aktualisht në skuadrën e tij.

“Problemi i vetëm është se Sadiku nuk ka zhvilluar ndeshje zyrtare në këtë sezon. Gjithsesi, kam folur personalisht me djalin. Është shumë i motivuar dhe po pret me padurim që të na bashkohet.”

Kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për t’u përcaktuar, më pas Sadiku do të zyrtarizohet te Lugano.