A I PYET POLITIKA TË RINJTË? ATA THONË SE GJENDJA NUK ËSHTË E KËNAQSHME

0

Të rinj dhe deputetë nga Ballkani Perëndimor u mblodhën sot për të folur për pjesëmarrjen politike të të rinjve. Sefer Selimi, drejtues i “Democracy Lab”, thotë se përfshirja e të rinjve në jetën dhe proceset politike nuk është në nivelin e duhur. Formimin e grupit parlamentar dhe nismat për përpilimin e ligjit për të rinj, Selimi e sheh si përparim, por kërkon edhe angazhim më të madh nga të rinjtë.

“Duhet ta qartësojmë se përfshirja politike e të rinjve nuk bëhet vetëm nëpërmjet partive politike por e njëjta mund të bëhet edhe institucioneve tjera siç janë organizatat joqeveritare, unionet studentore e kështu me radhë, ku ata mund t’i artikulojnë kërkesat e tyre dhe të njëjtat t’i prezantojnë para vendimmarrësve”, tha Sefer Selimi, Drejtues i “DEMOCRACY LAB” – Maqedoni.

Por për këtë, të rinjtë s’kanë se ku të marrin shembull të mirë. Kjo sepse sipas deputetit Fadil Zendeli në Maqedoni mungon dialogu i shëndoshë politik. Përgjegjësia më e madhe për këtë bie mbi partitë politike, tha ai, sepse kultura politike në vend është në formë të çrregullt dhe ushqen armiqësi.

“Si zakonisht mungon komunikimi i hapur, diskutimet, shkëmbimi i pikëpamjeve dhe argumenteve dhe gjithashtu potenciali për dialog të shëndoshë politik i cili duhet të jetë dialog politik në nivel të lartë”, u shpreh Fadil Zendeli, Deputet i kuvendit të RM-së.

Në Shqipëri, ndodh që të rinjtë të mos pyeten as kur bëhet fjalë për të ardhmen e tyre, thotë Ervjola Osmanaj, presidente e rrjetit kombëtar për të rinj, duke shtuar se përfshirja e rinisë në proceset politike dhe vendimmarrëse është shumë e vogël.

“Në shumicën e rasteve tashmë është bërë traditë që politikanët të hartojnë politika, nisma dhe politika për çështje buxhetore për të rinjtë, dhe në rastin më të mirë i konsultojnë këto politika një ditë para aprovimit të tyre dhe në rastin më të keq nuk i konsultojnë fare. Duke u nisur nga të tilla kushte, pjesëmarrja politike e të rinjve mbetet në nivele akoma shumë problematike”, tha Ervjola Osmanaj, rrjeti kombëtar për të rinjtë në Shqipëri.

Nga salla kupolë e Kuvendit, eurodeputeti Eduard Kukan tha se pjesëmarrja e të rinjve në referendum mund të jetë vendimtare për të ardhmen evropiane të Maqedonisë. E nikoqiri Talat Xhaferri apeloi që fushata për referendumin të jetë e sinqertë, të ketë informim të saktë sepse politikat ditore shkaktojnë, çmimin e të cilit do ta paguajnë të gjithë.

Përgatiti: Besir Arifi