A I DUHET MAQEDONISË TAKSA PROGRESIVE? SHTETI PREJ SAJ DO TË ARKËTONTE 25 MILIONË EURO

0

Kritika të shumta dhe mendime të ndara për nismën e Qeverisë për të kaluar nga tatimi i sheshtë në atë progresiv. Ministri i Finacave Dragan Tevdovski pret që me reformën e re të tatimit në vit të mbledhë rreth 25 milion euro nga të pasurit, e me këto para t’i ndihmojë të varfrit.

“Ideja e kësaj reforme të propozuar është që mjetet shtesë që do të mblidhen, që janë rreth 25 milion euro që të kalohen në sistemin e mbrojtjes sociale, që Maqedonia të jetë e para në rajon që sjell të ardhura minimale adekuate, që për shumë shkurt do ta rrisë kalimin e qytetarëve që jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe që do të sigurojë ngritjen e tyre mbi kufirin e varfërisë, e në të njëjtën kohë do të bëjë më shumë kontroll për politikat që ata të kyçen në tregun e punës”, u shpreh Dragan Tevdovski, Ministër i Financave.

25 milion eurot e fituara nga tatimi progresiv nuk janë serioze për ta ndryshuar mënyrën e taksimit në shtet, konsideron profesori i ekonomisë Goran Petrevski. Ai propozimin e qeverisë e quan as mish as peshk, që nuk do të funksionojë në Maqedoni, sepse klasa e pasur është e paktë.

“Taksa progresive funksionon dhe jep efekte të mira në vendet e pasura, sepse baza e tatimit progresiv është që të keni mjaftueshëm njerëz që do tu paguajnë tatim. Nëse është e kundërta, nëse 90% e popullatës është e varfër, ndërsa 5, 10 ose 1% është e pasur, tatimi progresiv nuk do t’iu funksionojë”, tha Goran Petrevski, profesor universitar.

Petrevski gjithashtu tatimin progresiv e konsideron të pa drejtë, për faktin se i trajton njëjtë të pasurit me ardhura shumë të larta, që kanë fabrika ose janë aksionarë, me profesorët, inxhinierët ose mjekët që pragun e taksës progresive e arrijnë me mund.

Në debatin e sotëm publik, ish-guvernatori Petar Goshev e mbështeti nismën e qeverisë që në Maqedoni të rikthehet tatimi progresiv, duke shtuar se janë të pasurit ata që e shpikën taksën e  sheshtë.

“Pra kush e ka shpikur tatimin e sheshtë? Të pasurit. Ata e kanë shpikur tatimin e sheshtë sepse për ata nuk vlen. Pse vetëm në vendet ish socialiste aplikohet tatimi i sheshtë? Që të vijnë me investime këtu, të na e mbledhin ajkën, të na japin rroga nga 200 euro për punëtorët tanë dhe të paguajnë taksa sa më të vogla të mundshme. Kjo është prapavija e gjithë kësaj”, tha Ish-guvernatori i Bankës Popullore.

Më shumë që kritikuan propozimet e qeverisë për ndryshimin e taksimit ishin përfaqësuesit e odave ekonomike dhe ata të biznesit, të cilët thonë se tatimi progresiv është de motivim për investimet në Maqedoni. Kritike ndaj tatimit progresiv është edhe opozitarja VMRO-DPMNE, gjatë qeverisjes të së cilës edhe u ndryshua mënyra e taksimit.  Megjithatë nga qeveria thonë se me këtë reformë do të sillet më shumë barazi mes qytetarëve dhe rritje të të ardhurave buxhetore. Nëse Kuvendi e miraton taksën progresive, 1% e popullatës në vend të 10%-shit do të duhet të paguajë taksë prej 18%.

Përgatiti: Besir Arifi