Pa bursa në pandemi! Studentët akuzojnë Ministrinë se i ka humbur dokumentet

TË FUNDIT

Familjet e tyre janë në krizë ekonomike nga pandemia Kovid-19, por disa studentë kanë mbetur edhe pa bursa. Disa prej tyre nuk e kanë marrë asnjë këst të bursës, kurse të tjerët e kanë marrë një pjesë të saj.

Gjendja e tyre vështirësohet më shumë sepse janë para afatit të provimeve, ndërkaq konviktet studentore dhe bibliotekat nuk punojnë. Kështu ata do të duhet të bëjnë më shumë harxhime. Se pse nuk i morën bursat, thonë se në Ministri të Arsimit dhe Shkencës ua humbën dokumentet e aplikimit.

Studente: “Unë e kisha këstin e parë të bursës, kurse deri tash është dashur të lëshohet e gjitha pasi vetëm përfundoi viti shkollor, kurse për kolegen thanë se e kanë humbur kontratën”
TV21: Tash a duhet t’i dorëzoni të gjitha prej në fillim?
Studente: “Dokumentet jo, vetëm kontratën dhe transakcionin për t’i lëshuar paratë”

“Sa i përket bursave momentalisht është duke mbizotëruar një kaos. Një pjesë e studentëve e kemi marrë tre të katërtën e bursave, një pjesë e kanë marrë një të dytën, ndërsa një pjesë nuk e kanë marrë as edhe një denar. kjo është për shkak të joprefesionalizmit dhe joseriozitetit nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, tha Umer Muamedi, student.

Ankesa kanë marrë edhe nga Parlamenti Studentor, pjesëtari i saj Petar Antevski i cili edhe vetë është bursist thotë se nuk e ka marrë 30 përqindëshin e bursës dhe shton se ky problem është konstant.

“Një numër i madh i studentëve nuk kanë marrë bursa dhe disa prej tyre u kanë humbur dokumentet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo për ne është papërgjegjësi nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që vazhdimisht të vonojë me pagesën e ministrisë dhe ky problem e vendos në fokus një problem konstant që është vonesa e bursave për studentët”, tha Petar Antevski, nga Parlamenti Studentor.

Në përgjigjen që MASH ia dërgoi TV21 mohon se i kanë humbur dokumentet, por thonë se mund të jetë lëshim gjatë aplikimit.

“Sikurse bursistëve të rinj ashtu edhe atyre që kanë fituar të drejtën e bursës nga vitet e kaluara u janë ndarë të hollat për 7 muaj. 2 këstet e mbetura do të paguhen në fund të muajit qershor ose në fillim të muajit korrik. Nuk është e vërtetë që ndonjë bursisti i janë humbur dokumentet. Në rast se ndonjëri nga bursistët mendon se ka ndonjë problem në raport me ndarjen e të hollave, lirisht mund të drejtohet në MASH, rasti do të kontrollohet dhe në përputhje me situatën do t’i jepet përgjigje”, u tha nga MASH.

Studentët nuk kanë probleme vetëm me bursën, po edhe me mungesën e literaturës dhe hapësirë për banim, pasi bibliotekat nuk punojnë e kurse konviktet nuk janë hapur. Për konviktet nuk ka paralajmërim nga MASH, kurse bibliotekat dhe institucionet e tjera kulturore, sipas deklaratës së ministrit të Kulturës, Hysni Ismaili në emisionin “10 Minuta”, do të hapen në pjesën e dytë të qershorit.