Shpërthim i fuqishëm në portin e Dubait

TË FUNDIT

Një anije kontejnerësh e ankoruar në portin e madh të Dubait mori flakë të mërkurën vonë, njoftoi zyra e medias e emirateve, duke shkaktuar një shpërthim që shkaktoi lëkundje nëpër qendrën tregtare të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Postimi në Twitter nga zyra e medias shtetërore e Dubait tha se një zjarr u raportua të kishte shpërthyer në një anije në portin Jebel Ali dhe se një ekip zjarrfikësish po punonin për të kontrolluar flakët.

Zyrtarët thanë se nuk ka raporte për viktima apo të lënduar. Edhe shkalla e dëmit të shkaktuar nga shpërthimi në port dhe ngarkesën përreth nuk është e qartë ende.

Njerëzit në Dubai postuan video në mediat sociale që tregonin një top të zjarrtë që ndriçonte qiellin.

Dëshmitarët raportuan se u lëkundën ndërtesat në të gjithë qytetin. Banorët e lagjeve rreth  25 kilometra larg portit thanë se e ndjenë shpërthimin rreth orës 11:45.

Gazetarët e Associated Press e ndjenë gjithashtu  shpërthimin që tronditi dritaret e xhamave të banesave të tyre.

Porti Jebel Ali në Dubai është një nga më të mëdhenjtë në botë dhe më i madhi në Lindjen e Mesme.