RINOVIMI I XHAMIVE NË SHKUP, RUAJTJA E ORIGJINALITETIT, QËLLIM I ARKITEKTËVE

825
0
SHPËRNDAJE

Tre xhami, ndër më të vjetrat në Shkup, po rinovohen dhe konservohen. Këtij procesi i janë nënshtruar kompleksi i xhamisë së  Sulltan Muratit, përfshirë Kullën e Sahatit, Xhamia Allaxha si dhe xhamia “Hysein Shah” në Saraj.

“Projektet e reastaurim-konservimit të këtyre objekteve, parashohin ndërhyrje në të gjitha fazat. Që nga faza arkitektonike, statike, dekoracionit, prezantimit që mund të ketë, të kaligrafisë ose varrezave. Me pak fjalë bëhet restaurim komplet që e parasheh ligji për një objekt të tillë”, u shpreh Memet Selmani – Drejtor i qendrës nacionale për konservim.

 Përveç Kullës së Sahatit, në xhaminë e Sulltan Muratit po rinovohet çatia. Është hequr gjithashtu edhe pjesa e sipërme e minares, e cila pas tërmetit të ’63-tës u rindërtua me beton, ndërsa tani do të bëhet me gurë, njëjtë si pjesa tjetër.

“E gjithë vëmendja tani do të përqendrohet në rikonstruimin e kulmit të xhamisë, më qëllim rinovimin e saj. Më pas, përveç arkitekturës së xhamisë është punuar projekt për restaurimin e dekorimeve murale, që tashmë është përpiluar ndërsa realizimi do të fillojë në momentin kur të përfundojnë kjo fazë”, tha Cvetanka Haxhipecova – Akritekte-Konsevuese.

 Në këto tre rinovime, Qendra nacionale për konservim është mbikëqyrëse dhe bartëse e lejes për restaurim. Mjetet për rinovimin e objekteve janë dhënë nga Agjencia turke për koordinim dhe Zhvillim – Tika. Sipas Haxhipecovas, Ministria e Kulturës duhet të përkushtohet më shumë në financimin e projekteve që ruajnë trashëgiminë kulturore. Një prej arkitektëve na tha se po përpiqen që sa më tepër të ruajnë pjesët origjinale.

 “Disa nga pjesët e vjetra, origjinale, do t’i ruajmë andaj nuk duam të ngutemi shumë sepse kemi për qëllim që sa më shumë ta ruajmë origjinalitetin”, u shpreh Ismail Erdem Ufuk – Arkitekt.

 Përforcimi i mureve po bëhet edhe në Xhaminë Allaxha. Si brenda po ashtu edhe jashtë po bëhet zëvendësimi i suvasë. Përveç objekteve kryesore, në këto tre xhami të ndërtuara kryesisht në shekullin e XV-të, gjithashtu do të rinovohen edhe tyrbet dhe shatërvanët që gjenden në oborre. Pritet që punët e rinovimit të përfundojnë pas një viti. Nga Qendra për Konservim na thanë se në të ardhmen planifikohet edhe ndërhyrje në Teqen Arabati në Tetovë si dhe në Xhaminë Inçar në Dibër.

Përgatiti: Besir Arifi