BORISOV BËN THIRRJE PËR KUJDES, DEKLARATA E ZAEVIT PËR “ILINDENIN” SHKAKTOI REVOLT NË BULLGARI

1146
0
SHPËRNDAJE

Duhet të jemi të kujdesshëm me deklaratat e këtilla, për shkak se Ilindeni është krenaria jonë. Kryengritja e Ilindenit është kryengritje maqedonase. Në qoftë se dikush në Bullgari e ndjen si kryengritje të tijën, kjo është në rregull, le të jetë pjesë e historisë sonë të përbashkët, unë nuk kam problem me këtë. Por, unë jam krenar. Unë jam kryeministri i parë i RM-së që e feston Ilindenin para përmendores së Goce Dellçevit në Bullgari, kishte deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Kjo deklaratë e Zoran Zaevit nxiti reagime të shumta në opinionin publik në Bullgari. Historianë dhe politikanë e kritikuan ashpër kryeministrin e Maqedonisë, duke e vënë nën pikëpyetje sinqeritetin gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes dy vendeve. Homologu i tij bullgar, Bojko Borisov i këshillon të gjithë politikanët se duhet të jenë të kujdesshëm se çka flasin duke shtuar se deklaratat e këtilla janë të dëmshme për Zaevin.

Nëse e ka thënë këtë gjë me qëllim, pa menduar për pasojat, është në dëm të tij. Sepse kur të arrijë para dyerve të BE-së edhe ne do të duhet të japim pajtueshmërinë tonë dhe do ti mbajmë mend këto gjëra. Këshilla ime për të gjithë është të kemi kujdes, deklaroi Bojko Borisov.

Por, sot në profilin e tij në Facebook, Zaev tha se miqësia dhe bashkëpunimi me Bullgarinë janë të sinqerta. Ai e shkroi këtë pasi që, siç tha, ka parë se në Bullgarinë u hap debat publik në të cilin është parashtruar pyetja nëse dy vendet dhe dy popujt ndërtojnë miqësi të sinqertë.

Më shumë se një vit ne festojmë pjesë të përbashkëta të historisë mes dy popujve, disa herë së bashku festojmë ngjarje historike. Unë jam kryeministri i parë i Maqedonisë i cili në Bullgari u përul para monumentit të Goce Dellçevit gjatë festimit të përbashkët të festës. Paraprakisht, miku im, z. Borisov, ishte kryeministri i parë bullgar i cili u përul para varrit të Goce Dellçevit në Maqedoni gjatë festimit të përbashkët të festës, ka shkruar Zaev.

Ngjashëm si edhe Zaevi, ashtu edhe ministrja e punëve të jashtme e Bullgarisë u përpoq ta qetësojë opinionin publik, sidomos politikanët e vendit të saj. Më e zëshme në kritikat ishte Kornelija Ninova nga Partia sociale e Bullgarisë, e cila kërkoi që qeveria bullgare të dalë me qëndrim ë qartë  në lidhje me deklaratën e kryeministrit të Maqedonisë.

Zonja Ninova, mund të rrini rehat. Qeveria kujdeset për mbrojtjen e interesave tona nacionale. Falë punës sonë, Republika e Maqedonisë do të jetë anëtare e NATO-së dhe do të fillojë negociatat me BE-në, ndërsa flamuri i Bullgarisë do të valëvitet edhe në Shkup, ndërsa njëkohësisht do të intonohet himni i Bullgarisë, ka deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zahaireva.

Më 1 gusht të vitit të kaluar, Zaev dhe Borisov e nënshkruan marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë.  Njëra prej pikave që i përmban dokumenti është pikërisht festimi i përbashkët i Ilindenit. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministrat e dy vendeve u përulën para përmendores së Goce Dellçevit vitin e kaluar në Shkup, ndërsa këtë vit, në Bllagoevgrad.