MAQEDONIA MERR FTESË PËR NË NATO, STOLTENBERG: “PA NDËRRIMIN E EMRIT NUK KA ANËTARËSIM”

483
0
SHPËRNDAJE

Në Samitin e NATO-s që po mbahet sot në Bruksel, 29 vendet anëtare njëzëri vendosën që Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim në Aleancën Veri-atlantike, me ç’rast vendi i 30-të u rezervua për Maqedoninë. Pas përfundimit të mbledhjes në ditën e parë të Samitit, sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencë për media tha se Marrëveshja ndërmjet Shkupit dhe Athinës i hapi dyert Maqedonisë për tu bërë anëtare e Aleancës Veri-Atlantike me të drejta të plota.

“Dyert e NATO-s po hapen. Ne e kemi mirëpritur muajin e kaluar marrëveshjen midis Athinës dhe Shkupit dhe sot kemi rënë dakord që të ftojmë qeverinë e Shkupit për të filluar bisedimet për anëtarësim. Pothuajse se të gjitha proceset nacionale janë kompletuar që vendi t’i bashkohet NATO-s si anëtare me të drejta të plota. Vendimet sot janë marrë nga Evropa dhe Amerika Veriore. NATO po zgjerohet dhe ne jemi të gatshëm që të kujdesemi për sigurinë e miliarda njerëzve”, tha Jens Stoltenberg, Sekretari Gjeneral i NATO-s.

Stoltenberg tha se vetëm ndryshimi i emrit kushtetues, Maqedonisë i mundëson anëtarësim në NATO

“Njerëzit në Maqedoni duhet të vendosin, kjo është mundësi që vjen një herë në jetë ose do ta përkrahin marrëveshjen dhe do të bëhen anëtarë ose nuk do ta përkrahin dhe nuk do të anëtarësohen, nuk mund t’i marrin të dyjat. Anëtarësimi është i pamundur pa ndryshimin e emrit, populli duhet të vendos”, tha ai.

Në dokumentin zyrtar të përmbledhur me konkluzionet e vendeve anëtare të NATO-s, thuhet se në Samitin e Bukureshtit të mbajtur në vitin 2008, IRJ e Maqedonisë mori ftesën për t’ju bashkuar Aleancës sapo të arrihet një zgjidhje e pranueshme për çështjen e emrit në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

“Zbatimi i plotë i të gjitha procedurave të brendshme të përshkruara, duke respektuar në tërësi marrëveshjen për çështjen e zgjidhjes së emrit, është kusht për një konkluzion të suksesshëm për bisedimet për anëtarësim në NATO”, Dokumenti zyrtar nga NATO për Maqedoninë.

Sipas autoriteteve në Bruksel, Maqedonia ka marrë ftesën me parashtesat “IRJ”, kurse gjatë procesit të anëtarësimi që pritet të zgjatë nga 6-18 muaj, pranimi i plotë do të bëhet me emrin e ri: Republika e Maqedonisë së Veriut. Maqedonia është kandidate për anëtarësim që prej 19 vjetësh, ndërsa në vitin 2008 në Samitin e Bukureshtit në prag të marrjes së ftesës, shteti grek vendosi veton, proces që shtyri këtë ftesë për 10 vjet.

Përgatiti: Adnan Qaili