LIDERËT E SHTETEVE TË BE-së NUK ARRIJNË MARRËVESHJE PËR MIGRANTËT

544
0
SHPËRNDAJE

Merkel ka bërë thirrje për takime para samitit të BE-së
Liderët e 16 shteteve të Bashkimit Evropian kanë diskutuar për zgjidhjen e krizës së migrantëve në kontinent, por “mini-samiti” i së dielës nuk ka rezultuar me ndonjë vendim konkret.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel më 24 qershor, pas takimit në Bruksel ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë rreth atyre çështjeve. “Ka pasur shumë gatishmëri dhe pavarësisht disa dallimeve të vogla, kemi arritur të bashkohemi”, ka thënë ajo.

Merkel ka bërë thirrje për takime para samitit të BE-së, i cili pritet të mbahet me të gjitha shtetet anëtare më 28-29 qershor.

Kancelarja është duke u sfiduar nga ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, i cili ka kërcënuar me zbatim të kontrollit të njëanshëm në kufijtë e Gjermanisë, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes shteteve të BE-së.

Shtetet si Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke kanë bërë të ditur se do të bojkotojnë mini-samitin për shkak të kundërshtimeve të thirrjeve të vendeve tjera, kryesisht Gjermanisë, për të pranuar kuotën e migrantëve, derisa Merkel ka theksuar nevojën për solidaritet.

Ajo ka thënë se nuk mund të përballen të vetme vendet ku hyjnë për herë të parë migrantët.

Ndryshe, qindra mijëra persona kanë arritur në Evropë nga viti 2015, kryesisht pasi kanë ikur nga Siria dhe Iraku, duke nxitur tensione në mesin e anëtarëve të bllokut.