Rritet në 243 numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Gaza

TË FUNDIT

Është rritur në 243 numri i palestinezëve që kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të cila ushtria izraelite i filloi më 10 maj kundër Rripit të Gazës nën bllokadë dhe të cilat përfunduan me armëpushimin e arritur me Hamas-in.

Sulmet e Izraelit kundër Gazës përfunduan në orën 02:00 të premten, pas armëpushimit të arritur mes Hamas-it dhe administratës së Tel Avivit.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza bëri një deklaratë të re lidhur me humbjet e jetëve të përjetuara në sulmet 11 ditore që Izraeli zhvilloi në rajon.

Në deklaratë thuhet se ka arritur në 243 numri i palestinezëve që kanë humbur jetën për shkak të sulmeve izraelite në Gaza.

Po ashtu thuhet se në jetët e humbura përfshihen 66 fëmijë dhe 39 gra, ndërkohë që numri i të plagosurve ka arritur në 1.910.

Burimet lokale konfirmuan se trupi i pajetë i një fëmije është nxjerrë nga rrënojat e një shtëpie të shembur në Gaza nga sulmet izraelite.

Tensionet në rajon u përshkallëzuan si pasojë e sulmeve izraelite ndaj besimtarëve në kompleksin e xhamisë Al-Aksa dhe planit për dëbimin e banorëve nga shtëpitë e tyre në lagjen Sheikh Jarrah.

Grupet palestineze të rezistencës në Rripin e Gazës i dhanë policisë izraelite afat që të tërhiqen deri në 18:00 me orën lokale më 10 maj nga lagjja Sheikh Jarrah dhe Xhamia Al-Aksa që ndodhet në Kudsin Lindor nën pushtim.

Pasi policia izraelite nuk u tërhoq nga Sheikh Jarrah dhe Xhamia Al-Aksa, grupet rezistencës palestineze lëshuan një numër të madh raketash drejt Izraelit.

Pas kësaj ushtria izraelite njoftoi fillimin e operacionit ushtarak “Mbrojtësit e Mureve” kundër Rripit të Gazës.

Pas presioneve të ardhura nga administrata e SHBA-së, pala izraelite u tërhoq dhe arriti armëpushim me Hamas-in./AA