Kurti: Kërkesat dhe kriteret e BE-së do t’i trajtojmë me seriozitet

TË FUNDIT

Sot është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian i Qeverisë së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurtin.

I pari i Qeverisë ka thënë se kërkesat e përcaktuara nga Bashkimi Evropian do të trajtohen me seriozitet nga ana e Qeverisë.

“Kërkesat dhe kriteret që dalin nga procesi i integrimit në BE-në për vendin tonë në kuptimin e standardeve që duhen arritur dhe plotësuar,  të trajtohen me seriozitetin e duhur dhe përkushtim e nevojshëm. Në aspiratat tona shtetërore për të qenë një shtet i zhvilluar me ekonomi të qëndrueshme dhe vend demokratik ku sundon ligji dhe drejtësia, standardet e BE-së duhet të jenë udhërrëfyes. Prandaj, agjendën e integrimit evropian duhet ta shohim si pjesë integruese të agjendës qeveritare dhe shtetërore”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se është përgjegjësi e Kosovës të përmbushë kriteret dhe standardet që kërkohen, ndërsa shtoi se do të kërkojë përgjegjësi nga ministrat për reformat konkrete që kërkohen të zbatohen.

Sipas tij një nga përfitimet direkte me BE-në është “pasqyrimi i punës që na bëhet nga BE-ja”./21Media