MIRATOHET AKTAKUZA PËR 27 PRILLIN, ÇAVKOVI, TARÇULOVSKI, MUKOSKI DO TË PËRGJIGJEN PËR TERRORIZËM

1019
0
SHPËRNDAJE

Pothuajse tre muaj pasi Prokuroria Publike e ka ngritur aktakuzën për hyrjen e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill, Gjykata Penale e Shkupit e ka miratuar të njëjtën. Në këtë lëndë janë të përfshirë 30 persona, 28 prej të cilëve do të përgjigjen për cenim terrorist të rendit kushtetues, kurse dy të tjerët për ndihmë gjatë kryerjes së veprës së njëjtë penale.

“Pas shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha ankesave të ngritura nga pala mbrojtëse dhe nga Prokuroria dhe pas vlerësimit të fakteve dhe provave të paraqitura në aktakuzë, është marrë vendim me të cilin aktakuza po miratohet në tërësi”, nga Gjykata Themelore – Shkup 1.

Në aktakuzën janë të përfshirë edhe ish-drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, pesë deputetët e koalicionit të VMRO-DPMNE-së, Kërsto Mukoski, Ljuben Arnaudov, Johan Tarçulovski, Ljupço Dimovski dhe Sasho Vasilevski dhe disa prej organizatorëve të protestave “Për Maqedoni të Përbashkët”, Igor Durlovski, Bogdan Ilievski-Betmen, Vlado Jovanovski, Boris Damovski. Tani për tani nuk është theksuar kush është porositësi i dhunës që ndodhi “të enjten e përgjakshme”, kur sipas Prokurorisë ka pasur edhe tentim për vrasje ndaj Zoran Zaevit. Ish-agjenti Sllobodan Bogoevski, thotë se lënda nuk ka asnjë kuptim juridik, pa porositësit e dhunës të marrin përgjegjësi për veprën e kryer.

“Nëse nuk ulen në bankën e të akuzuarve Presidenti Gjorge Ivanov, ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, atëherë kjo vepër nuk do të ketë asnjë kuptim. Është i pakontestueshëm fakti se personat e akuzuar e kanë shkelur ligjin dhe e kanë kryer veprën, por nëse mbesim pa përgjigje – se kush e ka organizuar dhe porositur hyrjen në Kuvendin, atëherë e gjithë procedura nuk do të kishte kuptim”, tha Slobodan Bogoevski, Ish-agjent.

Prokuroria, paralelisht ka hapur edhe hetim rreth kësaj se kush ka telefonuar nga Vjena, telefonatë pas së cilës turma ka hyrë në Kuvend, gjatë procedurës së zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar. Mitre Pitropovski, i cili kërkohej me fletë arrest, dje vetë u dorëzua në Gjykatë, pas çka i ishte caktuar masa paraburgim prej 30 ditësh. Para 10 ditësh, u dorëzua edhe Aleksandar Vasilevski – Ninxha, kurse disa muaj para tij, të njëjtën e ka bërë edhe Nikola Mitrevski – Koljo. Të gjithë akuzohen për të njëjtën vepër penale.

Përgatiti: Mihajlo Vidimliski