“Uh”, rekonstruimi! Kryeministri nuk mendon se duhet

TË FUNDIT

Pyetjes për rikonstruim të Qeverisë, kryeministri Zoran Zaev fillimisht i përgjigjet me një pasthirrmë.

 “Uh…”, bëri ai, para se të thotë se nuk është nevoja për rekonstruim.

“Nuk do të duhej, sepse pushteti ekzekutiv zgjidhet nga Kuvendi, ekzekutivi dhe përfaqësuesit kanë merituar të kenë një shans dhe janë rreth 8 muaj e gjysmë ministra e drejtues, duke pasur parasysh se është zgjedhur më 1 shtator të vitit të kaluar”, u shpreh Zaev.

Po krahas mohimit të Kryeministrit, TV21 tashmë dy javë nga burime partiake ka mësuar se një rekonstruim mund të ndodhë në fund të majit ose fillim të qershorit.

Edhe nga BDI, nënkryetarja Teuta Arifi është shprehur se “nuk është menduar për përmirësim ose ndryshim të kabinetit”. Po pavarësisht kësaj, jo krejt integristët pajtohen me përbërjen aktuale të qeverisë. Nënkryetari Mexhiti vazhdon me qëndrimin e njëjtë.

“Unë nuk jam për këtë ekzekutiv, nuk është më e mira e BDI-së”, tha Mexhiti për TV21.

U përpoqëm për përgjigje edhe nga sekretari i BDI-së, njëherazi edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi,  por nuk morëm asnjë reagim për pyetjen se pse nuk merret parasysh çështja e rekonstruimit, kur brenda partisë ka të pakënaqur?!

E çfarëdo që të ndodhë në Qeveri, sekretari gjeneral i Besës, Arjanit Hoxha thotë se bashkëpartiakët e tij nuk preken.

“Nuk preket asnjë pozicion i Besës nga çfarëdolloj lëvizje brenda koalicionit”, u shpreh Hoxha për Televizionin 21.

Burimet e TV21 thonë se kalkulimet për zgjedhjet lokale të tetorit, mund të sjellin deri te rikonstruimi i mundshëm i Qeverisë. 2 ministra aktual mund te propozohen për ambasadorë, tregojnë burimet, duke shtuar se gjithashtu mund të ketë rokadë dikasteresh mes LSDM-së dhe BDI-së. Ka shanse që BDI të shqyrtojë edhe opsionin e ndërrimit të Ministrisë së Financave me ndonjë ministri tjetër./TV21