Tetovë, “avullohen” fontanat në “Iliria”? Arifi: Projekti do të realizohet ashtu siç është përpiluar

TË FUNDIT

Me 6 maj kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi në profilin e saj në Facebook paralajmëroi se në bulevardin “Iliria” kanë filluar të vendosen ulëse dhe shporta për mbeturina. Sipas Arifit me vendosjen edhe të ndriçimit dhe vendparkimeve për biçikleta, qytetarët do të kenë një zonë moderne në qendër të qytetit.
Por ajo çka bie në sy është se kryetarja në asnjë rast nuk përmendi edhe fontanat për ujë të pijshëm dhe mbrojtëset metalike të drunjve që fillimisht vetë ajo i paralajmëroi në projektin e Bulevardit Iliria.
Ky ishte prezantimi i bulevardit më 17 mars të vitit 2017.

TEUTA ARIFI – KRYETARE E TETOVËS (17 mars, 2017)
“Gjithsej do të bëhet fjalë për rregullim të hapësirës publike në sipërfaqe prej 15.000m2, ku përveç shtigjeve dhe zhardinjerave të ngritura për gjelbërim do të bëhet edhe vendosja e gjithsej 73 shtyllave për ndriçim publik, 12 fontanave me ujë për pije, 75 mbrojtës metalik për trungjet e drunjve, 22 shporta për mbeturina, 32 konstruksione për parkim të biçikletave si dhe 233 ulëse të drurit për qytetarët”, deklaroi Arifi.

Ndërsa sot, në pyetjen e Televizionit 21, se a do të vendosen fontanat, ashtu siç u premtua, Arifi thotë se do të realizohet ashtu siç është projekti.

“Ky është bulevardi i cili ka programin e vet, pjesa më e madhe në rikonstruim ka përfunduar, jemi në pjesën e vendosjes së pajisjeve urbane që është pjesë e finalizimit dhe sipas kontakteve që kemi me kompaninë dhe meqë ka filluar vendosja, është çështje javësh për tu përfunduar”, tha ajo.

A do të ndërtohen edhe 12 fontana që u paralajmëruan në fillim?

“Në fakt siç është projekti ashtu edhe do të realizohet varësisht si ka qenë projekti në fillim”, shtoi më tej.

Komuna e Tetovës gjatë vitit 2016 hapi një tender me vlerë prej 53 milionë denarësh me TVSH, që e fitoi kompania IR Grup në një tenderim publik. E njëjta gjatë vitit 2017 filloi me punë. Komuna e Tetovës më pas e ndërroi edhe projektin ku pllakat e begatonit nga njëngjyrëshe u kërkua të bëhen shumëngjyrëshe. Ishte hapur një tender i ri me vlerë prej 17 milionë e 830 mije denarë, ndërsa përsëri këtë projekt e kishte fituar kompania IR GRUP më 12 shtator të 2017.