IVANOV ANKOHET NGA SOFJA, “QEVERIA MË ANASHKALOI, BËRI MARRËVESHJE SIPAS QEJFIT”

695
0
SHPËRNDAJE

Presdenti i shtetit Gjorge Ivanov tha se sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Presidenti është përgjegjës në arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Por, në rastin e marrëveshjes së dy qeverive të Shkupit dhe Athinës, ai thotë se është përjashtuar nga ky proces. Ivanov në pyetjen e gazetarëve sot në Sofje tha se nuk është ai që bllokon procesin e ndryshimit të emrit, por shprehet se nuk do të vë firmën në një dokument për të legalizuar veprimet e huaja. I pari i shtetit thotë se si e bëri ekzekutivi krye në veti, le t’i dalin zot vetë kësaj ujdie.

“Askënd nuk e kam përzënë nga kabineti im, kishim takim. Kjo ishte hera e parë që unë  të mos jem i përfshirë në përpilimin e këtij dokumenti. Kur e mora atë dokument, nuk kisha çfarë për të thënë në atë takim. Andaj takimi zgjati aq shkurtër. Pse duhet unë ta legalizoj këtë dokument? Ashtu siç e kanë lidhur, pa prezencën time, ashtu le ta mbarojnë, pa prezencën time,”, tha Gjorge Ivanov, President i Maqedonisë.

Në Kushtetutë është thirrur edhe profesoresha Mirijana Najçevska, e cila kërkon që Ivanovit t’i hiqet ushtrimi i funksionit të presidentit të shtetit. Ajo thotë se Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë në bazë të nenit 82 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, sipas së cilit në kushte të ndërprerjes së përhershme të kryerjes së funksionit, deri në zgjedhjen e presidentit të ri, detyrën duhet ta kryej kryetari i Kuvendit.

“Veprimet e Gjorges tashmë e cenuan sigurinë e shtetit, ishin arsye për dhunë me përmasa të mëdha, e zhvlerësuan pushtetin ligjvënës dhe gjyqësor, dhe vazhdimisht janë burim i jostabilitetit ligjor në vend. Edhe krahas asaj, pushteti aktual vazhdoi me politikat e bashkëjetesës me çka krijonte imazh të rremë të gjendjes normale. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë duhet të jenë të mbrojtur nga pasojat e “sëmundjeve” serioze të Presidentit të shtetit dhe, përgjegjësinë për mbrojtjen e tillë është në duart e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Mirijana Najçevska, Profesoreshë Universitare.

Dje në Vilën Vodno, Presidenti Ivanov zhvilloi një takim të shkrutër më kryeministrin Zaev dhe ministrin e jashtëm Dimitrov. Mos-nënshkrimi i marrëveshjes për emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas kreut të shtetit, nuk nënkupton se ai është faktor destabilizues i tërë rajonit.

Përgatiti: Adnan Qaili