BAKLLAVAJA NUK MUNGON PËR BAJRAM, MË SHUMË BLIHET E GATSHME SE SA GATUHET

1885
0
SHPËRNDAJE

Po vijnë për të blerë bakllava një ditë para festës së Bajramit.

Ndonëse vitet e fundit tendenca për të blerë bakllava në vend të gatuarjes në shtëpi është rritur, tradita për bakllava nuk mungon në asnjë shtëpi gjatë festës së Bajramit.

“Çmimet janë normal, sepse në fakt zotria që e ka hap këtë biznes nuk ka edhe aq fitim, po nuk ka zgjidhje tjetër duhet të punojë. Më herët një kilogram ishte 10 euro, ndërsa tani është 6 apo 7 euro. Jo ne nuk i gatuajmë, i blejmë, tani shoqja është plakur dhe më lirë është të blejmë të gatshme se sa ta përgatitësh vetë.”

“Kemi vendos mos ta mundojmë gruan dhe shumë mirë i gatuajnë këta. Çmimet janë të volitshme, diku mesatarisht dhe jemi të kënaqur”, thanë disa qytetarë.

Shitësit e bakllavave thonë se shitja gjatë kohës së Bajramit çdo herë është më e madhe, edhe pse kërkesa nuk është e dobët edhe gjatë ditëve të tjera.

“Kohëve të fundit jemi duke shitur edhe më shumë, për dallim nga vitet e kaluara sepse mendoj se njerëzve u bie më lehtë ta blejnë të gatshme, ndërkaq sot shitje kishte edhe më shumë se sa ditëve të tjera. Si çdo biznes edhe ne Bajramin e presim, sepse e dimë se shitja është më e madhe”, u shpreh Basri Kamberi.

Shitësi Basri Kamberi shtoi se çmimet e produkteve që nevojiten për bakllava nuk janë shtrenjtuar për festën e Bajramit, për këtë shkak edhe çmimi i bakllavave sipas tij është i volitshëm.

Petë të holla, arra dhe sherbet, reçetë  e cila me shekuj nuk ka ndryshuar përbërësit e saj kryesor dhe cilësohet si më e pamunguara gjatë festave të Bajramit. Historiku i bakllavasë vjen nga Lindja e Afërt, më sakt nga Asiria e lashtë, ndërsa ideatorët kryesorë për përgatitje të bakllavasë janë osmanlinjtë, grekët, arabët, bullgarët etj. Deri në shek. XIX bakllavaja konsiderohej ushqim për të pasurit, që më pas të bëhet ëmbëlsira më e popullarizuar në këto troje.

Përgatiti: Sara Kajolli