MARRËVESHJA E ARRITUR, HISTORIKE, VENDIT IU HAPËN DYERT PËR NË BE DHE NATO

444
0
SHPËRNDAJE

Çështja e anëtarësimit të vendit në NATO është e përfunduar, ndonëse do të ketë edhe zëra kundër. Ky ishte konstatimi i mbrëmshëm në emisionin “Click Plus”. Panelistët debatuan menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së Shkupit dhe Athinës lidhur me çështjen e emrit që ka zgjatur çerek shekulli. Historiani Arben Llalla tha se shtrëngimi duarve të kryeministrave Zaev dhe Cipras është në favor të gjeopolitikës së tërë rajonit dhe jo vetëm.

“Marrëveshja duhet të përgëzohet! Ne shqiptarët të gjithë bashkë duhet të votojmë pro referendumit që do të mbahet në shtator ose tetor, sepse ekziston edhe rrezikshmëria që parlamenti grek të shpërbëhet në dhjetor dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme dhe mund të mos e votoj këtë marrëveshje të kësaj qeverie”, tha Arben Llalla, historian dhe gazetar.

“Tash para jush po e them se në mëngjes edhe mua më konsultuan, pasi që ishin konsultuar në Tiranë disa ekspertë të tjerë. Unë e dhashë variantin Maqedonia e Veriut apo Maqedonia Verior. Shumica dolëm me konstatimin se të thirret Republika e Maqedonisë Veriore”, tha Nijazi Muhamedi, Ekspert politik.

Ekspertët thonë se zbatimi i marrëveshjes së posaarritur me Greqinë, vendit do t’i hapë rrugë për anëtarësim në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, ku pritet që më 25 qershor në Këshillin Evropian të mblidhen 29 vendet anëtare për të aprovuar hapjen e negociatave, për anëtarësimin e vendit si i 30-ti me të drejta të plota në BE.

“Në këtë vizion ose këtë marrëveshje që sot është nënshkruar, rreth viteve 90-ta e kemi paralajmëruar dhe kemi punuar për këtë. Është mirë që në palën maqedonase ka ardhur një lider, i cili pak më mirë i kupton gjërat dhe është më pro perëndimorë”, tha Ismet Ramadani, Ekspert politik.

“Shqiptarët me këtë marrëveshje fitojnë sepse e fitojnë NATO-n dhe BE-në, ky është interesi strategjik i shqiptarëve. Ne nuk duhet të japim mendime emocionale sepse jo shumë faktorë varen, dhe ne nuk do të biem në grackë, të cilat mandej mund të qojnë në dëm të shqiptarëve në Maqedoni dhe shqiptarëve në rajon dhe të miqve tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Ylber Sela, Ekspert i raporteve ndërkombëtare

Në “Click Plus” ekspertët erdhën në përfundimin se si Maqedonia ashtu edhe vendet tjera të rajonit të dala nga sistemi komunist, tani në demokraci po paguajnë koston e gabimeve historike që kanë bërë liderët e tyre në këto 50 vitet e fundit. Republikës së Maqedonisë së Veriut tani do t’i hiqet vetoja një dekadëshe e vendosur nga shteti grek në Samitin e NATO-s të mbajtur në vitin 2008 në Bukuresht.

Përgatiti: Adnan Qaili