ÇMIMI I DERIVATEVE VARET NGA GREKËT! “AKCIZA NUK NDRYSHOHET DERI NË SKADIM TË MARRËVESHJES”

1109
0
SHPËRNDAJE

Që nga viti 2012 Rafineria OKTA nuk prodhon as naftë e as derivate të saj, por shërben vetëm si depo për rezervat e derivateve të transportuara nga koncesioneri “Hellenic Petroleum” i Greqisë. Por, në formulimit të çmimit të derivateve nga Komisioni rregullator i energjetikës, figuron edhe kostoja prej 27 dollarësh amerikanë për çdo tonelatë kinse të prodhuar në rafinerinë e Shkupit.

Meqë prej viti 1999 Qeveria e Maqedonisë ka një marrëveshje 20 vjeçare me këtë gjigant që me derivate të furnizohet vetëm nga shteti fqinj jugor, zëvendëskryeminisri për çështje ekonomike Koço Angjushev, tha se akciza nuk mund të ndryshohet deri në skadimin e marrëveshjes me gjigantin grek.

“Ato obligime duhet t’i respektojmë, si çdo shtet tjetër e kemi patjetër t’i respektojmë. Dua të rikujtoj se në një periudhë mes vitit 2013-2014, qeveria i ka paguar dëmshpërblim prej 40 milion eurove kompanisë greke. Ne si shtet serioz patjetër duhet që t’i respektojmë të gjitha obligimet e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo marrëveshje skadon ne mes të vitit 2019 dhe normalisht që pas këtij afati shteti do të jetë i liruar nga të gjitha klauzolat e asaj marrëveshjeje”, tha Koço Angjushev, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Gjashtë vjet më parë, derisa LSDM ishte në opozitë kërkonte nga qeveria e atëhershme që ta përgjysmojë akcizën për derivatet e naftës, duke i ulur çmimet e derivateve nga 10-12 denarë për litër.

“Shtrenjtimet po vazhdojnë, kurse çmimet e derivateve po bëhen të papërballueshme për shumicën e qytetarëve të Maqedonisë, të cilët me frikë e presin çdo të hënë dhe seancat e Komisionit rregullator për energjetikë. Pushteti vazhdimisht po refuzon ta bëjë atë që është në kompetencat e tyre dhe t’i ulë akcizat për derivatet e naftës, e me këtë ta ulë edhe çmimin e derivateve”, Qëndrimi për akcizën e derivateve nga LSDM në vitin 2012.

Sipas Komisionit rregullator për energjetikë, çmimet me pakicë të derivateve prej mesnatës së të hënës janë rritur për dy denarë. Sipas vendimit, çmimi i ri i benzinës Euro-super BS 95 është 73.5 denarë për litër, ndërkaq i Euro-super 98 është 75.5 denarë për litër. Çmimi i naftës u bë 65 denarë për litër, ndërkaq vaji ekstra i lehtë për amvisëri 54 denarë dhe çmimin e mazutit arriti vlerën e 34.5 denarëve.

Sipas “Global petrol prices” çmimi i naftës për litër në Maqedoni, në tre muajt e fundit është rritur për 8 denarë. Vlera mesatare gjatë kësaj periudhe është 59.60 denarë, me një minimum prej 57 denarë më 19 shkurt dhe një maksimum prej 65 denarë më 28 maj. Sa për ilustrim, çmimi aktual i naftës në Greqi është 87 denarë, kurse çmimi mesatar në botë për këtë periudhë është 74 denarë për një litër naftë.

Përgatiti: Adnan Qaili