Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të bllokuara, zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me lokalet?

TË FUNDIT

Në zgjedhjet lokale do të përdoret metoda me gjurmë gishtash, por shumica e partive kërkojnë edhe lista të hapura. LSDM-ja me shpresë se kjo gjë do të realizohet.

“Besoj se do të ketë sukses qëllimi për lista të hapura për këto zgjedhje. Me të vërtetë të zgjedhim njerëz cilësorë, e jo njerëz të cilët do t’i kënaqin apetitet (orekset) e tyre personale në drejtim të asaj se çfarë do të gjendet në listat e këshilltarëve. Duke e modernizuar dhe zhvilluar LSDM-në, tani do të vendosim standarde dhe kritere të larta, në mënyrë që të mund të jeni pjesë e listës së kandidatëve për këshilltarë të LSDM-së”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski.

Kësaj iniciative i janë bashkangjitur edhe tri parti të koalicionit – PLD, DOM dhe Lidhja Demokrate. Në Kuvend janë dorëzuar edhe propozim-ndryshime të Kodit Zgjedhor, me të cilat propozohet edhe përfaqësimi i drejt gjinor në listat e kandidatëve. Por, sa është e pranueshme kërkesa e pushtetit për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me lokalet? Nga LSDM-ja thonë se deri më tani dy herë e kanë konfirmuar shumicën në Kuvend.

“Lideri i VMRO-DPMNE-së vazhdimisht paralajmëron se do të ketë shumicë të re në Kuvend. Nuk e di çka po ndodh atje. Matrica e tyre e cila nuk ka ndryshuar fare, u shërben vetëm për ta ruajtur pranë tyre anëtarësinë, të ushqehet trupi i tyre votues”, shtoi më tej Nikollovski.

“Normalisht se qëllimi i çdo opozite është të arrijë të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ky është argumenti politik i çdo opozite në botë. Normalisht se edhe VMRO-DPMNE-ja dëshiron të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, a do të jenë bashkë me lokalet, që është një termin i logjikshëm, a do të ketë termin tjetër, varet nga shumica parlamentare”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në fillim të prillit, Kuvendi sipas marrëveshjes së Zaevit dhe Mickoskit i anuloi zgjedhjet lokale për dy javë, për shkak të zbatimit të regjistrimit të popullsisë, por nuk përjashtohet mundësia që të shfrytëzohet edhe afati maksimal prej 6 muajve për shtyrje të zgjedhjeve dhe të organizohen në pranverë të vitit të ardhshëm.