JETË PËR TË GJITHË, JO EDHE PËR BOGOVINËN, QEVERIA NUK MBËSHTET ASNJË PROJEKT TË KOMUNËS OPOZITARE

883
0
SHPËRNDAJE

Ky është fshati Novo Sellë i Bogovinës. Për bukuritë e këtij fshati kanë dëgjuar turistë nga Polonia e Çekia, por jo edhe qeveria e Republikës se Maqedonisë.
Në afërsi te këtij fshati gjendet edhe liqeni, atraksion turistik për te cilin evropianet vijnë këtu. Por për të arritur atje duhet të kesh xhip apo te ecësh në këmbë për më shumë se katër orë.

Për liqenin e Novoselles që gjendet në Komunën e Bogovinës kishin dëgjuar edhe turist nga Polonia dhe Çekia të cilët në grupe vijnë këtu çdo vit për ta vizituar këtë vend. Ne për bukurinë që e posedon ky vend kemi dëgjuar vetëm nga banoret e kësaj zone sepse rruga qe shpie deri tek liqeni është në këtë gjendje dhe nuk mund te kalohet.

“Për çdo pranverë këtu kalojnë qytetarë të vendeve të ndryshme nga rajoni i Republikës së Maqedonisë, por edhe më gjerë të cilët kanë dëshirë ta vizitojnë atë vend piktoresk i cili ka bukuri natyrore të mahnitshme. Vitin që kaloi ishte një grup prej Polonie dhe ishin shumë të kënaqur dhe qëndruan disa ditë”, tha Rizvan Islami, kryetar i Bashkësisë Lokale.

Pikërisht për këtë rruge dhe me qellim që ta zhvillojë turizmin në komunën e Bogovines, u hartua projekti për rrugën e këmbësorëve. I njëjti projekt kaloi tek UNDP dhe arriti deri në fazën e tenderimit, por në moment të fundit pasi u ndryshua administrata e komunës, mjetet u destinuan për një komunë tjetër.

“Kemi një liqen të mrekullueshëm lartë, vijnë edhe turistë të huaj… vijnë polak, italian ta vizitojnë ne nuk kemi infrastrukturë që ti çojmë deri atje. Pasi projekti kaloi fazën e parë, kaloi edhe fazën e dytë, e ata kërkuan përkrahje prej meje si kryetar që ta përkrah projektin.. Edhe pse projekti ishte shumë i lavdëruar dhe shumë i qëlluar, edhe nga ana e dokumentacionit shumë mirë i përgatitur. Kaluam në fazën e tretë dhe në momentin e fundit kur ne mendonim se tani do të fillohet edhe me aplikimin për ndërtimin e atyre shtigjeve, fatkeqësisht, ato mjete u dedikuan diku tjetër”, tha Albon Xhemaili, kryetar i Komunës së Bogovinës.

Përveç liqenit, banorët e kësaj komune merren kryesisht me bujqësi, por as prej te drejtoria për zhvillim rural nuk u aprovua asnjë projekt i vetëm edhe pse aplikimet nuk kanë munguar. Kështu kryetari i komunës, Xhemaili, morri një komunë të falimentuar, tani po paguan borxhe, e nëse i mbet diçka nga buxheti vjetor do të mundohet të investoj aty ku ka nevojë.

“Nga ana e qeverisë nuk kemi asnjë ndihmesë dhe me keqardhje të madhe e them këtë. Isha i detyruar që të shkruaj një letër deri tek kryeministri, poashtu edhe trupit diplomatik.
Ne kemi shfrytëzuar rastin dhe kemi aplikuar në çdo aplikim të mundshëm dhe në çdo thirrje, si nëpër ministri, nëpër drejtori, po ashtu edhe tek fondet që thithen nga jashtë. Fatkeqësisht, gjetëm vetëm një heshtje të madhe nga ana e qeverisë.
Në kohën kur Remziu ishte zëvendësministër i transportit dhe lidhjeve, fituam 514 mijë euro për rregullimin e ujit të pijshëm të rrjetit. Kemi dërguar disa projekte atje, mirëpo përgjigje akoma nuk kemi”, tha Albon Xhemaili, kryetar i Komunës së Bogovinës.

I kontaktuar nga TV21, ministri i pushtetit lokal, Suhejl Fazliu tha qe dyert e resorit që ai drejton janë të hapura për tu ndihmuar komunave dhe qytetarëve. Ai shtoi se nuk do të lejojë që dikush të diskriminohet për shkak të orientimit politik, fetar apo nacional.

Përgatiti: Furkan Saliu