TASEVA: FENI MË KEQ SE “SHKUPI 2014”, SINDIKALISTËT: “TASEVA DORËHEQU NGA INTERESAT E KONCESIONERIT”

505
0
SHPËRNDAJE

“Policia Financiare, Këshilli Gjyqësorë dhe Prokuroria Publike duhet të marrin masa për të hetuar parregullsitë eventuale në procesin e falimentimit të gjigandit metalurgjik të Kavadarit – Feni Industry.” Kështu tha drejtoresha e “Transparency International” për Maqedoni, Slagjana Taseva, e cila në konferencën e sotme për media potencoi se ky është një problem më i dëmshëm për buxhetin e shtetit sesa “Shkupi 2014”. Taseva kërkon nga Gjykata e Velesit të vepron sipas Ligjit për falimentim dhe të hedh poshtë Planin për riorganizimin e borxhliut të falimentuar, “Feni Industry” për shkaqe vonese.

“Në planin për riorganizim nuk janë të përfshirë e as projektuar raportet financiare. Mbi 75% e pronës së debitorit të falimentuar është vënë në hipotekë. Plani i propozuar për riorganizim parasheh shlyerjen e kreditorëve të siguruar për 90%. Në kushte të likuidimit për shkak të veçorisë së mjeteve dhe pronësisë, kreditori i siguruar do të shlyente borxhin me më pak para”, tha Sllagjana Taseva, kryetare e “Transparency International – Maqedoni”.

Nga Sindikata e punëtorëve të “Feni Industry” shprehen të shqetësuar se Taseva, për një përfitim prej 50,000 eurove, bën avokaten e një kompanie që është e përfshirë në procesin e falimentimit. Ata thonë se janë ankuar tek “Transprency International” në Berlin për përfaqësuesen e tyre në Shkup që Taseva të heq dorë nga përfaqësimi i interesave të “Cunico Resources”, koncesioner i metalurgjikut të Kavadarit.

Sipas tyre, pikërisht “Cunico Resources” është fajtor për gjendjen e keqe të kompanisë, për çka është ngritur edhe procedura e falimentimit.

“Në të vërtetë nuk e kemi të qartë se si një person, në këtë rast zonja Sllagjana Taseva, e cila është përfaqësuese e një organizate të njohur botërore, prej së cilës pritet që edhe veten, por edhe organizatën që e përfaqëson ta vendosë në shërbim të qytetarëve, mund të marrë anë dhe të veprojë pas një ankese, pa i kontrolluar faktet dhe të dhënat, të manipulojë me informatat dhe të plasojë dezinformata. Mbi të gjitha, si mundet ky person të mbajë konferenca për shtyp dhe të prezantojë akuza të pabaza, me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë i rrezikon vendet tona të punës dhe e njollos imazhin e shtetit dhe institucioneve”, tha Sindikata e punëtorëve të “Feni Industy.

Nga Qeveria thonë se procedura për falimentim udhëhiqet sipas Ligjit për falimentim me organet kompetente për ruajtjen e pronës së falimentuar me qëllim që të mbrohen interesat e kreditorëve. Kabineti i zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike sqaron se monitorojnë me vëmendje situatën për të mbrojtur interesin publik sepse në “Feni Industry” punojnë mbi 700 punëtorë.

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Velesit solli vendim për hapjen e procedurës së falimentimit  të “Feni Industry” për shkak të kushteve në këtë metalurgjik. Kjo korporatë e Kavadarit ka kapacitetin më të lartë industrial të shtetit, ka filluar me punë që nga viti 1982 dhe aktualisht kontribuon më së tepërmi në Bruto Prodhimin Vendorë.

Përgatiti: Adnan Qaili