SHESHI SKENDËRBEU PLOT DËME, S’DIHET SE KUR DO TË FILLOJNË PUNIMET PËR FAZËN E TRETË

567
0
SHPËRNDAJE

Shkallë të thyera dhe të dëmtuara. Këto janë pamje nga sheshi “Skendërbeu” vetëm një vit pasi u lëshua në përdorim. Nga Komuna e Çairit shprehin indinjatë për dëmet e bëra, ndërsa thonë se do të ndërmarrin masat e nevojshme për sanimin e tyre.

“Shprehim indinjatën e thellë për dëmtimin e shpeshtë të shkallëve dhe pajisjeve tjera të vendosura në sheshin “Skendërbej”. Do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për riparimin e të gjitha gjërave të dëmtuara që ato të jenë sërish në shërbim të qytetarëve. Apelojmë që këtë shesh, që paraqet vlerë estetike dhe kulturore për qytetin tonë, ta ruajmë të gjithë bashkë”, tha Komuna e Çairit.

Pamja që tani ka sheshi është vetëm përfundim i fazës së dytë nga projekti, ndërsa pamjen finale do ta fitojë me mbarimin e fazës së tretë, për të cilën nga komuna nuk bëjnë të ditur se kur do të fillojnë punimet. Nga atje thonë se projekti është pjesë e programit qeveritar, ndërsa së shpejti pritet në bashkëpunim me Qeverinë të definohen detajet e realizimit. Por, nga Qeveria thonë se sheshi “Skendërbeu” është plotësisht projekt i Komunës së Çairit, por meqë kishte mungesë të mjeteve financiare për përfundimin e projektit, qeveria ka ndihmuar financiarisht komunën në përfundimin e fazës së dytë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka ndihmuar financiarisht Komunën e Çairit në përfundimin e fazës së dytë të projektit për sheshin “Skendërbej”. Projekti vazhdon të mbetet nën ingirenca të komunës, dhe për realizimin e fazës së tretë jemi në pritje të rregullimit të dokumentacionit për të konstatuar nëse ka nevojë për mjete financiare shtesë”, thanë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Projekti i sheshit për herë të parë u prezentua në vitin 2010, ndërsa parashihej të përfundojë brenda dy viteve. Nga komuna thonë se projekti ka hasur në disa ndryshime gjatë realizimit, ndërsa faza e tretë parasheh ndërtimin e parkingut nëntokësor. Sheshi në fjalë ishte paraparë të ndërtohet me një kosto të përgjithshme prej afër 10 milionë eurove.

Përgatiti: Sara Kajolli