VESELI: ZERO BARRIERA BUROKRATIKE PËR DIASPORË

528
0
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot përfaqësues të diasporës nga shumë vende të botës, të cilët po qëndrojnë në Prishtinë. Takimi është organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me organizatën Germin. Gjatë adresimit në seancë solemne para përfaqësuesve të diasporës, Veseli tha se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës. “Që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e luftës për çlirimin e Kosovës, të gjitha projektet e mëdha të kombit tonë kanë filluar në mesin e diasporës sonë. Pa diasporën, Kosova sot nuk do të ishte këtu ku është”, tha Veseli. Veseli gjatë fjalimit të tij tha se diaspora sot është shtyllë e ekonomisë dhe shtetit të Kosovës, prandaj shteti i Kosovës sipas tij ka obligime të mëdha ndaj bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata jetojnë e punojnë nëpër botë. “Ata janë investitorë dhe menaxherë kompanish të mëdha. Janë drejtorë bankash, e sipërmarrës të suksesshëm. Janë intelektualë, ekspertë e përfaqësues institucionesh shtetërore. Zëri i tyre dëgjohet gjithandej botës, e lista e sukseseve të tyre është e gjatë. Kjo na bënë krenarë”, tha kreu i parlamentit kosovar, Kadri Veseli. Veseli shtoi se diaspora jonë përbën një potencial të madh, nga i cili mund dhe duhet të përfitojë Kosova. “Kjo mund të arrihet duke ndërtuar komunikim praktik institucional me njerëzit tanë në diasporë, me idetë e tyre dhe me potencialin e tyre investiv”, tha Veseli. Ministria e Diasporës, në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas Veselit është duke bërë një punë të mirë, por gjithsesi të pamjaftueshme. “Është urgjente që potenciali investiv i diasporës të vendoset si prioritet i lartë në strategjitë zhvillimore të Kosovës. Njëkohësisht, në secilin institucion të vendit, duhet ta vendosim parimin e dyerve të hapura për projektet dhe idetë që vijnë nga njerëzit tanë në diasporë. Në radhë të parë, kjo nënkupton politikën – Zero barriera burokratike për diasporë. Qëllimi ynë final si shtet – është integrimi në strukturat ekonomike, politike dhe ushtarake të botës perëndimore, dhe është përparësi fakti se njerëzit tanë në diasporë jetojnë, veprojnë e krijojnë pikërisht në kushtet e kësaj bote. Janë pjesë integrale e zhvillimit të saj. Sot kemi një rast të shkëlqyeshëm që në Kuvendin e Kosovës të dëgjojmë një pjesë të ideve të tyre”, përfundoi Veseli.