SHILEGOV THIRRJE PAZARXHINJËVE, PRANONI OFERTËN TONË, MOS I BLLOKONI RRUGËT

704
0
SHPËRNDAJE

Ndonëse edhe sot tregtarët ambulantë e bllokuan bulevardin “Kërste Misirkov”, kryetari i Qytetit të Shkupit, mbetet në qëndrimin e njëjtë, që tregtarët të shesin brenda në “Bit Pazar”.

“U bëj thirrje shitësve që këto ditë i kanë bllokuar rrugët dhe trotuaret ta pranojnë ndihmën tonë dhe të vazhdojnë punën në kuadër të Pazarit duke përfituar nga oferta jonë”, tha Petre Shilegov, kryetar i qytetit të Shkupit.

Shilegov gjithashtu shtoi se tregtarëve u është mundësuar përdorimi i stendave falas për dy muaj.

“Tregtarët në treg dhe shitësit në çarshi rregullisht paguajnë për tezgat dhe dyqanet, përderisa shitësit në tezgat e egra, edhe nuk duan të paguajnë, edhe duan t’i mbajnë vendet më ekskluzive për të shitur”, tha Shilegov.

Janë 130 tezga të lira që mund të përdoren deklaroi Shilegov, por tregtarët ambulantë vazhdimisht deklarojnë se janë rreth 400 shitës të cilët kërkojnë zgjidhje.

“Na kanë thënë që ka tezga të lira në Pazar, por nuk ka, vetëm janë duke na gënjyer. Ky është problemi”, tha Sedat Alimi, tregtar.

“Gjithsej jemi afro 400 veta. Ne nuk jemi duke kërkuar prej tyre diçka të pamundshme, jemi duke kërkuar zgjidhje. Le të na bëjnë një zgjidhje sepse ne nuk kemi ku të shkojmë. Fati ynë ka mbetur në duar tona por ata nuk po e kuptojnë që na kanë lënë askund”, tha Ramiz Lipovica, tregtar.

Për pothuajse një javë, tregtarët ambulantë që shesin në njërin krah të bulevardit “Kërste Petkov Misrkov”, po e bllokojnë të njëjtin në shenjë revolte për vendimin e Qytetit të Shkupit për t’i larguar nga aty.

Përgatiti: Besir Arifi