“MONSTRA” ME AKTAKUZËN E NJËJTË PËR TERRORIZËM, PPS: MUND TË KETË ZGJERIM TË HETIMIT PËR TË DYSHUAR TË TJERË

919
0
SHPËRNDAJE

Fejzi Aziri dhe Agim Ismajloviq, dy nga 6 të akuzuarit për rastin “Monstra” dhanë dëshmitë e tyre, në seancën e parë, pasi këtë lëndë e mori PPS-ja. Specialja me aktakuzën për terrorizëm ngarkoi të akuzuarit Fejzi Azirin, Alil Demirin, Sami Luten, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismailoviq. Ky i fundit tha se më 12 prill të 2012-tës ka qenë në shtëpinë e tij duke sanuar një gyp kanalizimi dhe ndërkohë punonte në internet kafenë, që e kishte në oborrin e shtëpisë. Kurse, Fejzi Aziri tha se atë ditë ka qenë tek ferma me tre punëtorë në Belinbeg. Ai në pyetjet e prokurorëve u përgjigj edhe për disa thirrje telefonike.

“Në periudhën prej 12 prillit deri më 1 maj të vitit 2012, kam komunikuar me disa politikan: me Ali Ahmeti kam biseduar për çështje partiake. Në telefon kam biseduar me Izet Mexhitin dhe Nevzad Bejten. Këtij të fundit i kam kërkuar ndihmë për subvencionet bujqësore, bisedë të ngjashme që kam zhvilluar edhe me drejtorin e atëhrshëm të Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë”,tha Fejzi Aziri, i akuzuar.

PPS e mori “Monstren” nga Prokuroria Themelore Publike, pasi që Gjykata Supreme shfuqizoi aktvendimet e Penales dhe te Apelit, në të cilën 6 të akuzuarit u patën dënuar me burg të përjetshëm, me ç’rast ata u liruan që të mbrohen në liri. Kurse PPS, Sejdi Ramiun e liroi nga akuza, i cili ishte lënë i lirë edhe nga Gjykata Penale në aktvendimin e parë për këtë rast. Prokurorja Fatime Fetai tha se të arratisurit Alil Demiri dhe Afrim Ismajloviq do të gjykohen në mungesë. Avokati i tyre, Naser Raufi reagoi në pyetjen e prokurores speciale drejtuar Agimit, për të treguar adresën e saktë se ku gjendet vëllai i tij.

“Unë si avokat i tij, nuk vlerësoj se prokuroria ka të drejtë të parashtroj pyetje të tilla, për shkak se për atë çështje ka institucione të caktuara, të cilat shpallin fletarrestime ndërkombëtare. Ose në një procedurë tjetër, prokurorja mund ta zhvilloj atë çështje. Në këtë seancë relevante janë pyetjet që kanë të bëjnë me dy aktakuzat dhe jo për çështje tjera”, tha Naser Raufi, avokat i të akuzuarve.

Nga pala mbrojtëse e familjarëve të të vrarëve, thonë se dëshmitë e reja që do të nxjerrën nga PPS, do të çojnë në dënimin e merituar të vrasjes së pesëfishtë të ndodhur më 12.04.2012 tek Liqeni Smilkovës.

“Vlerësoj se shumë deklarata kontradiktore u dëshmuan, në kundërshtim me deklaratat e mëparshme. Të gjithë duan të thonë versionet e tyre, por unë vlerësoj se procesi gjyqësorë po merr ritëm të përshpejtuar. Prokurorët parashtruan shumë pyetje, të cilat përafruan zbardhjen e fakteve, madje po plotësohen disa zbrazëtira, të cilat nuk ishin të qarta më parë”, tha Dafinka Ivanovka, avokate e të dëmtuarve.

Nga Prokuroria Publike Speciale thonë se sipas Kodit penal, duhet të merret aktakuza e njëjtë nga procesi i mëparshëm gjyqësorë. Prokurorja Fatime Fetai, mes rreshtave tha se me nxjerrjen e dëshmive të reja në vijim, mund të ndryshohet kjo aktakuzë dhe të zgjerohet hetimi për të dyshuar të tjerë.

“Siç kam thënë, do të prezantohen dëshmi që janë prezantuar edhe gjatë procesi të mëparshëm gjyqësorë. Por, kuptohet edhe dëshmi të reja që do t’i propozoj PPS-ja dhe eventualisht nga ana e avokatëve. Varësisht nga ajo se çfarë do të nxjerrët nga dëshmitë e reja, do të ketë edhe ndryshime adekuate të gjendjes faktike, por eventualisht edhe të personelit, me qëllim që të zbardhet plotësisht rasti për të gjithë ata, të cilët janë të përfshirë këtë rast”, tha Fatime Fetai, Prokurore Speciale.

Seanca e sotme, vjen një muaj pas anulimit të seancës paraprake pasi që i akuzuari Fejzi Aziri nuk u paraqit në gjykatë, që sipas avokatit të tij, ishte i shtrirë në spital. I njëjti, ditën e 17 prillit u morr nga policia dhe u dërgua në burgun e Shtipit, ku po vuan dënimin për një vepër tjetër.
Seanca e radhës do të mbahet me 23 maj, kur pritet të dëshmojnë të akuzuarit Haki Aziri dhe Sami Luta.

Përgatiti: Adnan Qaili