DY MUAJ GJYKATA E APELIT ME U.D. KRYETAR, KËSHILLI GJYQËSOR AKOMA I VLERËSON KANDIDATËT

443
0
SHPËRNDAJE

Për më shumë se dy muaj, Gjykatën e Apelit të Shkupit e drejton ushtruesi i detyrës – kryetar, kurse Këshilli Gjyqësor akoma nuk e ka përfunduar procedurën për rivlerësimin e kandidatëve për këtë post. Edhe pse në muajin mars shumica e anëtarëve të Këshillit kanë vendosur të bëhet rivlerësimi dhe përkundër faktit se vetëm një gjykatës ka kërkuar vlerësim të jashtëzakonshëm, megjithatë procedura akoma nuk është përfunduar. Por, nga Këshilli Gjyqësor konfirmojnë se në garë edhe më tej mbesin 11 kandidatët e paraqitur.

“Procedura po zhvillohet. Intervistat janë realizuar më parë dhe deri te Komisioni nuk ka arritur asnjë njoftim për tërheqjen e aplikimit”, Këshilli Gjyqësor i RM-së.

Disa prej anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, janë me qëndrimin se për shkak të parregullsive gjatë shpërndarjes së lëndëve në gjykatat, respektivisht për shkak të keqpërdorimeve të AKMIS-it, nevojitet të bëhet rivlerësimi i kandidatëve. Me qëndrim të njëjtë janë edhe nga Instituti për të Drejtat e Njeriut.

“Argumentet që i kanë paraqitur anëtarët e Këshillit gjyqësor, tregojnë se një pjesë e madhe e gjykatësve nuk janë vlerësuar në mënyrë adekuate. Mes të tjerësh, kjo ka ndodhur sepse ka procedurë për keqpërdorimin e sistemit AKMIS, respektivisht gjatë shpërndarjes së lëndëve”, tha Mirosllav Draganov, Institut për të drejtat e njeriut.

Për kolltukun e Gjykatës së Apelit të Shkupit, garojnë 11 kandidatë, mes të cilëve edhe u.d. kryetarja aktuale e kësaj gjykate, Llidija Dimçevska. Nga të njëjtën gjykatë, kandidatë janë edhe Gjorgji Radojkov, Qenanzija Mehmed dhe Jovanka Nikodinovska, por edhe gjykatësit e Gjykatës Penale, Dobrilla Kacarska, Ognen Stavrev dhe Gordana Spireska. Kacarska po udhëheq disa lëndë të Prokurorisë Publike Speciale. Pikërisht Kacarskën, ish-kryeministri Gruevski, pas seancës së fundit për rastin “Tanku”, e ka akuzuar se ka bërë një marrëveshje me Zaevin për ta marrë këtë post.

“Zaev ka bërë marrëveshje me gjykatësen kryesore të procesit, zonjën Dobrilla Kacarska, se ai do t’i mundësojë asaj që të përparojë , të bëhet gjykatëse në Gjykatën e Apelit dhe pastaj të bëhet kryetare e asaj gjykate, ndërsa si kthim për këtë ai do të shpallet i pafajshëm në rastin “Ryshfeti”, tha Nikolla Gruevski.

Njeriu i parë i deritanishëm i Gjykatës së Shkallës së Dytë, Ljiljana Ivanovska Shopova del në pension. Këshilli Gjyqësor e ka zgjedhur për këtë funksion në vitin 2015, pasi paraprakisht një vit e gjysmë ka qenë ushtruese e detyrës së kryetares së kësaj gjykate.
Përgatiti: Mihajllo Vidimlliski