A RREZIKOHET TREGU NGA EKONOMIA GRI? KONKURRENCË JOLOJALE SI KËRCËNIM PËR TAKSAPAGUESIT

404
0
SHPËRNDAJE

Ekonomia gri përbën konkurrencë të pandershme kundrejt atyre që kanë dyqane dhe paguajnë taksat rregullisht. Kështu vlerëson Kryetari i Odës së Zanatçinjve, Nikolla Petrov.

“Një kohë kemi pasur një ide të regjistrohen në kuti me numra, pa emër dhe mbiemër, që të evidentohen. Imagjinoni përpara një dyqani ku shiten veshje, vendosin çanta ose kuti për të shitur veshje, ndërsa nuk paguajnë as tatim, e as nuk kanë kasë fiskale. Në dyqanin tim, nëse vjen Drejtoria për të Ardhura Publike, për 100 denarë, mund të ma mbyllë dyqanin. Kjo është konkurencë jolojale”, tha Nikolla Petrov, kryetar i Odës së Zanaetçinjëve.

Për këtë çështje, Petrov thotë se shpesh ka ngitur zërin, por fjalët kanë shkuar në vesh të shurdhër. I shprehur në përqindje, jozyrtarisht mendohet se niveli i ekonomisë joformale është rreth 30%. Për ekonominë gri në Maqedoni, flitet gjithashtu edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2017.

“Dobësitë afatgjata në ekonomi janë vërejtur sërish, ku tek një pjesë e tyre janë ndërmarrë hapa të caktuar për adresimin e tyre. Megjithatë, problemet kyçe që kanë të bëjnë me ekonominë gri dhe me zbatimin e marrëveshjeve (lidhur me efikasitetin dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor) qëndrojnë ende”, Raporti i KE për Maqedoninë 2017.

Ditë më parë, duke folur pikërisht për Raportin e Komisionit Evropian, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, tha se ekonomia gri duhet të luftohet nga të gjithë, e që sipas tij, është e pranishme në të gjitha segmentet e jetës. Kundër kësaj, Angjushev u zotua se do të ndërmerret iniciativë kundër këtyre aktiviteteve.

Nuk kanë munguar akuzat nga VMRO-DPMNE-ja opozitare. Sipas tyre, politikat tatimore që Qeveria Zaev ka ndërmend t’i ndërmarrë, duke kaluar nga në taksë progresive, do ta shtojnë evazionin tatimor, me çka numër i madh i subjekteve tregtare, në vend që t’i paraqesin të ardhurat e tyre, tërësisht do të kalojnë në anën e ekonomisë gri, me çka do të përkeqësohej klima e biznesit në vend.

Përgatiti: Besir Arifi