ZAEV: GJETËM SHTET TË RRËNUAR, POR EKONOMIA E MAQEDONISË KA ARDHMËRI TË NDRITSHME

887
0
SHPËRNDAJE

Shtet i rrënuar në mënyrë armiqësore, kështu e përshkroi Zaev gjendjen e përgjithshme me të cilën janë ballafaquar kur e kanë marrë pushtetin. Megjithatë ai është optimist se punët mund të ndryshohen. Borxhet e larta në nivel lokal ngadalë po pastrohen thotë Zaev, ndërsa deri në qershor do të paguhet tërësisht edhe projekti Shkupi 2014, i cili ka kushtuar më shumë se gjysmë miliardë euro. Ai edhe një herë i përmendi lëshimet katastrofale, siç thotë ai, të bëra gjatë ndërtimit të autostradave në vend, duke shtuar se Qeveria po negocion me rreth 200 investitorë të huaj, me një pjesë të cilëve ka negociuar edhe qeveria e mëparshme. Nëse vendosin që ata të investojnë në Maqedoni, atëherë ky do të jetë sukses i përbashkët, thotë Zaev.

“Shteti qëndron pas këtyre projekteve kapitale që i financon. Ne duhet t’i realizojmë deri në fund dhe këtu kemi edhe kapacitete të dobëta të administratës. Unë kërkoj që të ketë menaxher përgjegjës për projektin. Koço Angjushev, Kreshnik Bekteshi, ministri i bujqësisë apo ai i transportit, filluan t’u mbajnë ligjërata projekt-menaxherëve në Qeveri dhe t’u tregojnë se cili për çka do të përgjigjet nëse e tejkalon afatin për realizimin. Sepse ky është BPV-ja i vendit”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër i RM-së.

Opozita nuk pajtohet se pushteti i është përkushtuar ekonomisë. Ata pohojnë se gjatë këtij viti janë mbledhur më pak tatime për dallim të vitit të kaluar, janë dhënë më pak leje ndërtimi, kompania shtetërore ELEM ka prodhuar më pak energji elektrike për dallim të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, se është rritur huamarrja, ndërsa janë zvogëluar investimet e huaja.

“Cunami ekonomik Zaev-Tevdovski-Angjushev vazhdon ta rrënojë Republikën e Maqedonisë. LSDM-ja dhe Zoran Zaev e shtyjnë vendin drejt kolapsit ekonomik. Nuk kanë as plan, e as vizion. Rritja e BPV-së për vitin 2017 është 0, kurse ekonomia gjithkund në Evropë po rritet. Paralajmërimet për rritjen e tatimeve dhe paaftësia e kësaj Qeverisë, në mënyrë shtesë po i largojnë investitorët”, nga VMRO-DPMNE.

Në lidhje me gjendjen ekonomike, ekspertët kanë qëndrime të ndryshme. Sipas një pjese të ekspertëve nevojitet periudhë më e gjatë kohore që gjërat të stabilizohen ndërsa ekonomia po tregon rezultate realisht pozitive. Për pjesën tjetër, kjo qeveri filloi me politikë të jashtme ofanzive dhe e la anash ekonominë dhe standardin e qytetarëve. Sido që të jetë pushteti mbetet i qëndrimit se në fund të mandatit të tyre katër vjeçare, qytetarët do të kenë pagë mesatare në vlerë prej 500 eurove ndërsa rritja ekonomike do të jetë 5%. Ndërsa sipas opozitës një gjë e tillë është mision i pamundshëm.