RREZIKOHEN PRODHUESIT E ÇELIKUT, MASAT E SHBA-së DHE BE-së MUND TA PËRGJYSMOJNË EKSPORTIN

713
0
SHPËRNDAJE

Metalurgjisë i kërcënohet një kolaps i ri. Masat për import të kufizuar të produkteve nga çeliku në BE dhe SHBA, paraqesin kërcënim real për kompanitë e vendit nga ky sektor. Me këtë rast, kryetari i Shoqatës së metalurgjisë, Mitko Koçovski, dërgoi kërkesë deri te diplomacia ekonomike e Maqedonisë që ambasadorët e Maqedonisë në SHBA dhe BE të angazhohen që këto masa të  mos vlejnë  për Maqedoninë. Koçovski thotë se prodhimtaria është vënë në rrezik, përkatësisht vlera e eksportit, dhe në fund bëhet fjalë edhe  për qindra vende pune nga ky sektor.

“Këto masa paraqesin kërcënim serioz për industrinë e çelikut të Maqedonisë dhe hapjen e mundësisë për kufizimin e plasmanit të produkteve tona në tregun evropian dhe të eksportit të hekurit të vjetër. Sipas tyre, rrezikohen interesat e kompanive të tyre të çelikut dhe zvogëlohet profitabiliteti i tyre. Prej aty vjen ky paralajmërim për caktimin e masave për hetim, i cili de facto nënkupton akuzë se eksportuesit në tregun evropian që e rrisin eksportin e tyre i shkelin parimet e tregut dhe nuk i shesin prodhimet e tyre sipas çmimeve normale”, tha Mitko Koçovski, kryetar i shoqatës së Metalurgjisë.

Se situata është serioze flet dhe fakti se me këtë problem janë përfshirë 15 mijë persona të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të involvuar nga kompanitë e këtij sektori, ose janë bashkëpunëtorë. Mbeten edhe 21 ditë që të plotësohen pyetësorët që i ka kërkuar Komisioni evropian dhe të përpilohet strategji me të cilën diplomatët do të negociojnë, që për vendin të mos vlejnë masat e paralajmëruara. Nga kabineti i zv.kryeministrit Angjushev thonë se vazhdimisht po i ndjekin ngjarjet me partnerët tregtarë ndërkombëtarë.

“Pas verifikimit të gjendjes faktike, ndërsa në bazë të shumë bisedave me përfaqësues të industrisë së çelikut të RM dhe në konsultim me resorët kompetent të Qeverisë, MPJ, tashmë janë realizuar takime konkrete me Ambasadën e SHBA-ve në RM, por edhe me drejtorin e Drejtorisë pranë KE që është kompetent për raportet me RM-në, me kërkesë që për Maqedoninë të mos vlejnë masat mbrojtëse për vendet tjera”, thanë nga Kabineti i zv/kryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Të dhënat e Koçovskit thonë se 5 kompani nga sektori i metalurgjisë eksportojnë në Bashkimin Evropian. Në nivel vjetor në BE eksporti i vendit është diçka më shumë se 400 tonë produkte çeliku. Përndryshe eksporti  nga ky sektor është i rëndësishëm për shkak se merre pjesë me thuajse 6% në formimin e Bruto prodhimit vendor të Maqedonisë. Nga shoqata theksuan se me goditje të tilla kjo industri po ballafaqohet në çdo dy-tre vite.

Përgatiti: Ile Petrevski