LIDIJA DIMÇEVSKA U.D. KRYETARE E APELIT, K. GJYQËSOR DEBATON PËR AKMIS PRAPA DYERVE TË MBYLLURA

509
0
SHPËRNDAJE

Prapa dyerve të mbyllura, anëtarët e Këshillit Gjyqësor e shqyrtojnë Raportin e Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e sistemit AKMIS. Njeriu i parë i Këshillit, Zoran Karaxhovski paralajmëroi se debatet tashmë po fillojnë dhe se do të vendoset çfarë hapash do të ndërmerren, si dhe nëse do të formohet Komision i cili do të zbatojë hetim të tij. Ai mbetet në qëndrimin se në raportin ka pasur, siç thotë, vetëm drejtime të përgjithshme dhe se nuk ka pasur parregullsi.

“Në atë Raport nuk ka asnjë dëshmi se dikush mund të thirret për përgjegjësi. Ne si Këshill Gjyqësor duhet të marrim vendim për atë se çfarë do të mund të ndërmarrim në këtë fazë, duke pasur parasysh Raportin e Ministrisë së Drejtësisë dhe faktin se është parashtruar padi penale dhe se me atë AKMIS-raport punon edhe Prokuroria Publike”, tha Karaxhovski.

Megjithatë, pikërisht parregullsitë gjatë shpërndarjes së lëndëve në Gjykatën Penale të Shkupit, por edhe gjatë rishpërndarjes së gjyqtarëve në departamente të tjera, ishin arsye që gjykatësit në këtë Gjykatë të mos kenë të njëjtën pozitë me kolegët e Gjykatave të tjera në garën për kryetar të Gjykatës së Apelit. Me këtë qëndrim ishin shumica e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, prandaj vendosën që procesin e zgjedhjes së njeriut të parë të Gjykatës së Apelit – Shkup ta shtyjnë, dhe i njëjti të vazhdojë kur do të bëhet vlerësimi i jashtëzakonshëm i kandidatëve, pasi që nga vlerësimi i fundit ka kaluar më shumë se një vit.

“Nëse kemi probleme të konstatuara gjatë shpërndarjes së lëndëve dhe probleme të konstatuara me oraret vjetore të gjykatësve dhe me përjashtimin e tyre për pranim të lëndëve, gjë që është konstatuar në raportin në fjalë, atëherë konsideroj se nuk do të ishte e drejtë që atyre gjykatësve t’u lihet ai vlerësim, si kriter për avancimin e tyre”, u shpreh Vllatko Samarxhiski, anëtar i këshillit gjyqësor të RM-së.

Por, disa anëtarë të Këshillit nuk ishin dakord me qëndrimin e Samarxhiskit. Ata pohojnë se listat, intervistat dhe testimet e kandidatëve, tashmë kanë përfunduar, kurse për vlerësimin e jashtëzakonshëm do t’u duhen të paktën edhe dy muaj. Thonë se përveç gjykatëses Olja Ristova askush nuk ka kërkuar të bëhet vlerësim të jashtëzakonshëm

“Gjykatësit patën mundësi, gjatë viteve të kaluara, ja konkretisht ata nga Gjykata Themelore -Shkupi 1, të dorëzojnë ankesa për orarin vjetor, sipas të cilave do të vendosë Gjykata Supreme. Domethënë e gjithë procedura është respektuar. Deri më sot, deri në procesin e vlerësimit, nuk kemi vërejtje se për shkak të ndonjë arsye, në Njësinë e Shkupit nuk kanë marrë vlerësime adekuate”, u shpreh Aleksandra Zafirova, anëtare e këshillit Gjyqësor të RM-së.

Për ushtruese të detyrës në Gjykatën e Apelit është emëruar gjykatësja me më shumë pika të marra nga kjo Gjykatë, Lidija Dimçevska. Ndryshe, ajo ka qenë pjesë e Këshillit Penal, i cili e konfirmoi vendimin kundër dy gazetarëve të Fokus-it, të cilët u paditën nga ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov. Pasi Liljana Ivanovska Shopova doli në pension, në garë për Gjykatën e Apelit kanë hyrë 11 kandidatë. Katër prej tyre janë gjykatës në Gjykatën Penale, kurse emri i gjykatëses Dobrila Kacarska, është emri më i përfolur në opinion se pikërisht ajo do të udhëheqë me Gjykatën e Apelit.

Përgatiti: Mihajllo Vidimliski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU