RADHË TË GJATA NË SPORTELET E DAP-it, RRETH 100 MIJË QYTETARË PRESIN DITËN E FUNDIT PËR TATIM

570
0
SHPËRNDAJE

Rreth 100 mijë qytetarë nga i gjithë vendi pritet deri nesër të paraqesin formularët për të ardhurat vjetore. Kjo krijon rrëmujë në sportelet e Drejtorisë e të Ardhurave Publike, pasi që shumë qytetarë nxitojnë të kryejnë obligimin e tyre një ditë para skadimit të afatit, ndërsa ka edhe prej tyre që e lënë pikërisht ditën e fundit.

“Duhet të jenë fleksibil dhe të vazhdojnë punën nëse ka nevojë me pranimin e paraqitjeve. Ju a e keni paraqitur fletëparaqitje? Jo, nuk e kam paraqitur, dua nesër ta paraqes. Pse nesër? E po nuk i kam dokumentet e nevojshme që duhen, raportet.. nuk mundesh pasi nuk i merr në kohë, vonohen të tjerët dhe kështu. Ka arsye objektive, nuk është subjektive gjithmonë”, tha një qytetar.

Përderisa disa qytetarë ankohen për radhët e gjata që krijohen, disa të tjerë janë të kënaqur nga puna e nëpunësve.

“Jo nuk pata fare vështirësi, as në mbushjen e fletëparaqitjes dhe as gjatë pritjes. Krijohet rrëmujë pa nevojë, përndryshe në vend të tyre janë të punësuarit, ka kuadër të mjaftueshëm dhe gjithçka ec pa problem”, u shpreh një qytetare.

“Jo, sapo erdha dhe mbarova punë. A keni pritur gjatë? Jo, jo menjëherë mbarova punë”, tha një qytetare.

Ky është viti i fundit që qytetarët janë të obliguar vetë t’i paraqesin të hyrat e tyre për tatim, sepse nga viti i ardhshëm fletëparaqitjet do t’i plotësojë në mënyrë direkte DAP-i, ndërsa obligim i vetëm i qytetarëve do të jetë konfirmimi për të njëjtat.

“Nga 1 janari i vitit 2018 kemi ndryshime në ligjin për tatimin personal, ku për vitin e ardhshëm do të thotë për të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2018 personat fizik nuk do të kenë më për obligim të deklarojnë të ardhurat e tyre, por Drejtoria e të Ardhurave Publike në bazë të të dhënave që do t’i kemi do të dorëzojë deri tek qytetarët formularë të mbushur për tatim vjetor, të cilët pastaj personat fizik duhet vetëm ta vërtetojnë ose nëse konsiderojnë se e njëjta nuk përshtatet me gjendjen reale, ta ndryshojnë dhe për të njëjtën ta informojnë DAP-in”, tha Violeta Stavrova, zëdhënëse e DAP-it.

Sot është dita e parafundit për paraqitje të tatimit vjetor për persona fizik, ndërsa priten edhe rreth 100 mijë qytetarë ta përmbushin detyrimin e tyre deri nesër. Nga gjithsej 334 mijë e 360 qytetarë që kanë deklaruar të ardhurat e tyre vjetore, vetëm 1.725 prej tyre kanë shfrytëzuar aplikimin elektronik. Për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve deklarimi i të ardhurave mund të bëhet edhe në Komunën Qendër, Gjorçe

Petrov, atë të Butelit, Gazi Babës, Aerodrom dhe Komunën e Çairit. Për mos-deklarim të të ardhurave apo deklarim jo të plotë, Drejtoria e të Ardhurave Publike parasheh gjobë në vlerë prej 100 deri 200 euro.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU