RAKETAT KUNDËR BRESHËRIT, SISTEM I VJETËRUAR DHE JASHTË FUNKSIONIT

888
0
SHPËRNDAJE

Kjo është një raketë kundër breshrit. Të tilla filluan të vendosen nëpër territorin e Maqedonisë rreth viteve të ’70-ta. Deri para disa vitesh, në vend ka pasur rreth 300 stacione me këso lloj raketash, por që tashmë nuk funksionojnë.  Kosta Llazarovski nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike na shpjegon se si ato veprojnë mbi retë me breshër.

“Brenda ka raketë, MTT9, shenja e prodhuesit, ka 300 gram reagens, që shërbejnë për shpërndarjen e reve me breshër. Këto sisteme kanë qenë të vendosura në afërsi të fshatrave ku ka pasur të mbjella dhe përmes radio-lidhjeve janë dhënë komandat nga qendrat e radarëve”, tha Kosta Llazarovski, drejtoria për punë Hidro Meteorologjike.

Llazarovski gjithashtu na shpjegoi se largësia e qitjes së një rakete të këtillë është 6 kilometra. Ajo pasi hidhet në ajër, brenda 10 sekondave arrin të lëshojë reagensin në formë tymi që shpërndahet në re. Kjo bën që të ulet numri i grimcave të cilat mund të shkaktojnë breshër, të cilat shndërrohen në reshje atmosferike që nuk i dëmtojnë kulturat bujqësore.

Arsyeja se pse këto raketa tashmë  6 vite nuk përdoren në vend, na i tregoi Rade Ballabanovski, udhëheqës i sektorit për parashikime dhe paralajmërime në Drejtorinë për Punë Hidro Meteorologjike. Ai thotë se që para ndalimit të tyre, ka pasur një periudhë 15 vjeçare të zvogëlimit të intensitetit të përdorimit të raketave kundër-breshër.

“U pakësua numri i raketave të blera, numri i stacioneve kundër breshrit, i personave të angazhuar për ndezjen e raketave, dhe kështu para 5-6 vitesh më nuk kishte mundësi veprimi efikas mbi retë. Ishte dëm që mjetet kundër breshrit të qëndronin në këmbë pa raketa dhe me sistem të vjetruar”, tha Ballabanovski.

Ballabanovski thotë se në botë ka teknika të reja të për mbrojtje nga breshëri. Ato me radarë të sofistikuar dhe në mënyrë automatike ndjekin retë dhe përcjellin informacione të detajuara. Që Maqedonia të pajiset me sistem kundër breshrit., sipas tij, do të duhen dy radarë të rinj meteorologjikë, çmimi i së cilit më sa paku arrin vlerën prej 1 milion euro. Për mbrojtje të gjithë territorit të Maqedonisë nga breshëri do të duheshin të paktën 4-5 mijë raketa në vit, ndërsa një e tillë kushton rreth 400 euro, thotë Ballabanovski, pa harruar të përmend edhe mungesën e kuadrove të reja për kryerjen e kësaj pune.

Përgatiti: Besir Arifi

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU