18 STACIONE MATËSE NË MAQEDONI, NDALESA PËR DISTRIBUIM TË MALLIT PËRFUNDON NË FUND TË MUAJIT MARS

632
0
SHPËRNDAJE

Deri në fund të muajit mars do të vlejë ndalesa për distribuim të mallrave nëpër markete, por kjo nuk do të thotë se masa nuk do të vazhdojë të vlejë nëse paraqitet nevoja për një gjë të tillë. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov thotë se një pjesë e distribuuesve nuk e kanë respektuar ndalesën e cila hyri në fuqi në muajin janar si masë për uljen e ndotjes në kryeqytetin e vendit. Megjithatë, njeriu i parë i qytetit nuk e di numrin e saktë të dënimeve të shqiptuara, pasi që, siç thotë ai, këtë evidencë e bën MPB. Gjatë muajit janar dhe shkurt, policia ka ngritur 72 akuza për kundërvajtje.

“Lufta për një mjedis jetësor të shëndetshëm nuk është një punë e cila mund të rregullohet menjëherë. Dhe nuk është punë e cila mund të rregullohet vetëm me një masë të caktuar. Duhet të kemi një set të masave të cilat do të implementohen dhe do të bëhen mënyrë e jetesës”, tha Petre Shilegov, Kryetar i qytetit të Shkupit.

Prej sot banorët e Komunës së Butelit në çdo moment do të mund të informohen për kualitetin e ajrit ambiental. Ministri i mjedisit jetësor, Sadulla Duraki tha se stacioni matës do të jetë i vendosur në Butel për 2 vite.

“Stacione matëse vetëm në RM ka 17 dhe ky i cili është vendosur sot është lëvizës. Ne si ministri do të përpiqemi se shpejti të vendosim edhe nëpër qytete tjera”, u shpreh Duraki.

Donator i stacionit matës është Bashkimi Evropian. Ambasadori Samuel Zhbogar deklaroi se nuk ekziston shkop magjik i cili do ta zgjidhte më shpejtë këtë problem. Kuvendi, qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore duhet ta marrin përgjegjësinë për zgjedhjen e problemit, u shpreh ai.

“Ky problem u la pas dore për një kohë të gjatë dhe u shndërrua në një problem të madh për të gjithë qytetarët e vendit. Koha e mirë nuk duhet të na mashtrojë dhe ta lëmë pas dorë përsëri këtë problem dhe të presim deri në dimrin e ardhshëm. Projekti i përgjithshëm vlen 5 milion euro”, tha Zhbogar.

Në Maqedoni janë vendosur gjithsej 18 stacione matëse, prej të cilave 14 janë donacione të Bashkimit Evropian, ndërsa 4 stacionet e tjera janë donacion nga qeveria e Japonisë.

Gjatë muajve janar dhe shkurt, Shkupi disa herë u rendit si vendi më i ndotur në botë. Matjet tregonin prani shumë më të lartë të grimcave kancerogjene në metër kub nga e lejuara, gjë që ishte shkak që autoritetet e qytetit dhe ato qendrore të vendosin masa.  Një nga masat e vendosura ishte edhe ndalesa për shpërndarjen e mallrave nëpër markete.

Përgatiti: Arbana Q. Klimenta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU