Bytyqi: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në bashkëpunimin ekonomik!

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në bashkëpunimin ekonomik.

Bytyqi pas takimit me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq, i pyetur nga TV21 se cilat janë më të rejat në kuadër të procesit të Mini –Shengenit, Bytyqi u përgjigj se të dy vendet janë të interesuara për bashkëpunim ekonomik, transmeton TV21.  

“Tema e “Mini- Shengenit” ose bashkëpunimi rajonal dhe tregu i përbashkët rajonal ishte njëra prej temave në të cilën biseduam sepse mendojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në bashkëpunimin tonë ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ne biseduam dhe u dakorduam që në periudhën e ardhshme do të marrim hapa akoma më të qarta rreth krijimit ose operacionalizimit të asaj që e kemi nënshkruar në muajin nëntor gjatë procesit të Berlinit të krijimit të tregut të përbashkët. Ne biseduam për aktivitetet që duhet t’i ndërmarrin të dy qeveritë në periudhën post-Covid të punës që na pret në zhvillimin e asaj që unë e quaj konkurueshmëri rajonale  për kundrejt konkurrimit rajonal që është baza e zhvillimit të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm për Ballkanin Perëndimor”, tha Bytyqi.

Nga ana tjetër Abazoviq tha se prioriteti i të gjitha shteteve duhet të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Ne nuk kërkuam zëvendësim për integrimet evropiane, prioriteti i të gjitha shteteve duhet të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Në këtë moment mendojmë se deri sa t’i kryejmë të gjitha obligimet të shihet modeli se si mundet një kooperim rajonal të jetë më i fuqishëm dhe më i suksesshëm dhe të japë rezultate konkrete në të gjitha shtetet. E gjithë biseda ka qenë për bashkëpunim rajonal dhe besoj se ekzistojnë shumë sektorë ku mundet me pas përmirësim. Ju e dini se procesi i Berlinit ka të bëjë me një marrëdhënie më të mirë mes shteteve”, tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq./TV21