PUNËTORËT E “EUROKOMPOZIT” TË ZHGËNJYER, DO TË PROTESTOJNË DUKE VENDOSUR KAMPE PARA QEVERISË

497
0
SHPËRNDAJE

Të punësuarit në kompaninë shtetërore “Eurokompozit” po vazhdojnë me protestat. Ata me bllokadë disaorëshe të rrugës Prilep-Gradsko, kryeministrit Zoran Zaev ia dhanë paralajmërimin e fundit – se nëse nuk mbajnë takim deri në fund të ditës së nesërme, atëherë ata qysh nga nesër do të vendosin kampe para godinës së Qeverisë ku do të qëndrojnë derisa nuk i marrin 16 rrogat e vonuara dhe kontributet që nga viti 2012. Për TV21 në deklaratë telefonike, sindikalisti Robert Bogdanovski, tha se kërkojnë garanci me shkrim, sepse, siç thotë, nuk besojnë më në premtimet.

“Ne në çdo moment presim të kemi takim me kryeministrin Zoran Zaev, për të parë se çfarë do të na premtojë ai. Në qoftë se nuk realizohet takimi sot ose nesër, ne nesër do të shkojmë para Qeverisë dhe do të vendosim kampe”, u shpreh Robert Bogdanovski, Kryetar i Organiatës Sindikale.

Deri më tani, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, disa herë ka thënë se do ta zgjidhë problemin me “Eurokompozit” i cili zgjat me dekada të tëra. Ai sot prapë doli me deklaratë optimiste se për gjysmë viti do të gjejë një zgjidhje për këtë kompani.

“Ata do t’i marrin rrogat për të cilat do të punojnë dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë se si kjo të bëhet një ndërmarrje e shëndetshme dhe e mirë. Ne si Qeveri,  kemi vendosur që Eurokompozit-i të jetë një ndërmarrje e mirë”, tha Koço Angjushev, Zëvendëskryeministër i Ekonomisë.

Në këtë firmë shtetërore e cila prodhon pajisje ushtarake dhe policore, punojnë rreth 250 persona, kurse borxhi i përgjithshëm i kompanisë e tejkalon shumën prej 5 milionë eurosh. Kjo nuk është hera e parë që kjo kompani të ketë probleme financiare, sepse të punësuarit edhe në të kaluarën kanë protestuar para Qeverisë për mospagimin e rrogave të tyre me kohë.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU