ANTIKORRUPSION APO PROKORRUPSION? KËRKOHEN DORËHEQJET E ANËTARËVE TË KOMISIONIT

539
0
SHPËRNDAJE

“Nuk do të jap dorëheqje sepse nuk kam bërë asgjë vepër joligjore, e as jomorale”, kështu thotë kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Igor Tanturovski. Sipas tij, dokumenti i publikuar mbi harxhimin e parave për shpenzime rrugore, është për përdorim të brendshëm, ndërsa opinionit i është dhënë në mënyrë joligjore. Ai shtoi se kjo po ndodh me qëllim që të bëhet trysni ndaj anëtarëve të Komisionit për Antikorrupsion dhe të njolloset puna e tyre.

“Ai raport është për përdorim intern dhe nga institucioni ka dalë në mënyrë joligjore. Edhe DAP-i ka dalë me qëndrim se ai dokument është për përdorim të brendshëm dhe është liferuar ilegalisht. Ne do të fillojmë procedurë, do të paraqesim padi ndaj një personi i panjohur, i cili e ka nxjerrë dokumentin në opinion”, tha Tanturovski.

Prokuroria Publike Themelore, pas marrjes së informacionit, ka nisur hetim për harxhimin e parave për shpenzime të rrugës nga ana e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

“Pas publikimeve që kanë dalë në media, Prokuroria ka ndërmarrë veprime për vërtetimin e fakteve në këtë lëndë, për mbledhjen e të dhënave dhe të dokumentacionit të nevojshëm nga ana e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe institucioneve të tjera relevante”, thanë nga Prokuroria Publike Themelore.

Nga ana tjetër, nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Remenski, në emër të shumicës parlamentare, kërkoi dorëheqjet e drejtorit dhe anëtarëve të Antikorrupsionit. Ajo thotë se nuk do të presin asnjë ditë më, dhe në qoftë se ata nuk i paraqesin dorëheqjet, shumica parlamentare Kuvendit do t’i dorëzojë nismë për shkarkimin e tyre.

“Në qoftë se Komisioni për Antikorrupsion nuk paraqet dorëheqje, sepse nuk meritojnë të qëndrojnë atje asnjë ditë më, atëherë shumica parlamentare do të nisë procedurë për shkarkimin e anëtareve të Komisionit”, tha Remenski.

Nga Qeveria porositën se presin përgjegjësi dhe zero tolerancë për korrupsion nga ky institucion, duke pasur parasysh se ky është thelbi i punës së tyre. Revizioni i DAP-it ka konstatuar parregullsi në punën e Komisionit, ku anëtarët e tij pa dedikim kanë shpenzuar mjete të buxhetit. Më konkretisht, në raportin e revizionit, është konstatuar se disa anëtarëve

të Komisionit u janë paguar shpenzimet e rrugës për ardhjen e tyre në seanca, kurse pagesa është bërë mbi bazë të urdhëresave të pabesueshme udhëtimi. Pastaj, disa prej tyre fare nuk kanë ardhur në punë, por vetëm në seanca dhe janë dorëzuar tri urdhëresa udhëtimi për të njëjtën ditë.

 

Përgatiti: Arbana Q.Klimenta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU