DO T’U MBULOHEN 70% TË SHPENZIMEVE, PLANI I RI PËR NDËRMARRJET E VOGLA DHE TË MESME

532
0
SHPËRNDAJE

Çdo ndërmarrje e vogël dhe e mesme që dëshiron të zhvillojë produkt të ri dhe të jetë konkurruese në treg, qeveria, përmes programit për zhvillim ekonomik, do t’u ndihmojë duke ua mbuluar 70% të shpenzimeve. Për këtë sot u zotua zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev. Sipas tij, dy shtyllat e para të zhvillimit ekonomik përfaqësojnë ligjin dhe nuk i lënë anash ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por sipas tij, shtylla e tretë, e prezantuar sot, është shtesë dhe e krijuar veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Ajo që dua të nënvizoj, përderisa në shtyllën e parë dhe të dytë, me ligjin për të gjitha ndërmarrjet ka kthim të investimit prej 10%, në shtyllën e tretë, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për herë të parë, janë paraparë 30% kthim të “gazelave”, përkatësisht të kompanive me rritje të shpejtë, mjete bazike për investime, thënë më thjeshtë për blerje të makinerive dhe ndërtimin e sallave”, tha Koço Angjushev, zv/kryeministër për çështje ekonomike.

Sipas Angjushev, ky program bëhet me qëllim që të rinjtë të qëndrojnë dhe të investojnë në Maqedoni dhe në këtë mënyrë shteti të jetë partner i tyre në ndërmarrësi. Nga ana tjetër, përveç përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në këtë plan përfshihet edhe zbatimi i masave të politikës industriale dhe mbështetjen e klasterave. Ai përmendi edhe ligjin për mbështetje financiare të investimeve, për të cilin tha se shumë shpejt mund të vendoset në shqyrtim, e që sipas Bekteshit duket të përkrahet nga deputetët e Kuvendit.

“Edhe një herë u bëj thirrje të gjithë deputetëve ta përkrahin këtë ligj që sa më shpejtë kompanitë të mund ta shfrytëzojnë dhe në mënyrën më transparente t’u mundësojmë  atyre ta kenë parasysh se çfarë mund të përfitojnë që t’i rrisin kapacitetet e tyre dhe gjithashtu të sjellim edhe investime të reja”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Kyç për këtë program janë masat për rritje ekonomike, shtylla e tretë, që nënkupton mbështetje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, thotw drejtori i fondit për inovacion dhe zhvillim teknologjik Jovan Despotovski. Sipas tij qeveria bëhet investuese e zhvillimit të ekonomisë vendore dhe risive teknologjike.

“Vetëm në thirrjen e parë publike, planifikojmë të ndajmë 185 milionë denarë që tashmë janë siguruar nga Qeveria. Krahas kësaj, në vitin 2018 planifikojmë edhe dy thirrje publike, dhe kështu shuma totale e mjeteve që do të ndahen duhet të arrijë në 645 milionë denarë. Kushtet që kompanitë duhet t’i plotësojnë, janë definuar definuar për çdo masë në veçanti dhe bazohen në numrin e të punësuarve, të ardhurat vjetore, strukturën pronësore si dhe përmbushjen e detyrimet financiare ndaj furnizuesit”, u shpreh Despotovski.

Ndërkaq, sa i përket kritereve për përzgjedhjen e projekteve që do të financohen, Despotovski përmendi nivelin e inovitetit, cilësinë e projektit, kapacitetin e skuadrës së projektit, potencialin në treg si dhe ndikimin në shoqëri dhe mjedisin jetësor.

Përgatiti: Besir Arifi

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU