ZHVILLIM PËR EKONOMINË LOKALE, 6,2 MILIONË DOLLARË INVESTIM I HUAJ PËR KOMPANITË VENDORE

609
0
SHPËRNDAJE

6,2 milionë dollarë janë në dispozicion për kompanitë në  sektorin privat. Këto mjete janë donacion prej USAID-it për zhvillim të ekonomisë lokale. Kjo është mundësi që kompanitë e vendit ta përmirësojnë konkurrencën, por edhe të punësojnë kuadro të reja me çka do ta ulin papunësinë, tha përfaqësuesi i fondacionit amerikan, Brok Birman. Sipas tij, sektori privat duhet të jetë shtytës kryesor i zhvillimit të mëtutjeshëm të vendit.

“Me projektin për zhvillim të ekosistemit të bizneseve, shfrytëzohet potenciali i sektorit privat të Maqedonisë për lëvizje të zhvillimit përmes krijimit të vendeve të punës, rritjes ekonomike dhe përgjegjësisë shoqërore korporative”, tha Brok Birman, USAID. Ministri i ekonomisë, Bekteshi, këto mjete i sheh si mundësi për përmirësim të kondicionit financiar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por, siç tha ai, këto mjete japin mundësi edhe për investime të reja.

“Do të përkrahet kyçja e ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe ndërmarrjeve mikro. E gjithë kjo do të ndikojë në zhvillimin rajonal dhe do të mundësojë nxitjen e zhvillimit lokal ekonomik jashtë kryeqytetit me qëllim që të zhvillohet ekosistemi lokal  i bizneseve”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Bëhet fjalë për mjete financiare shtesë të cilat janë në dispozicion të kompanive të sektorit privat. Edhe Qeveria e publikoi planin për rritje ekonomike që do të  kushtojë 50 milionë euro, para shtetërore. Biznesmenët reagojnë se masat e parapara  për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesmet janë minimale.

Përgatiti: Arbana Q. Klimenta

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU